Një projekt shkencor ka nisur në Mbretërinë e Bashkuar, që synim ka të ndërtojë nga e para “blloqet” e para njerëzore, ADN-në.
BBC-ja ka raportuar se ky është projekti i parë njerëzor, që ka për qëllim të zhvillojë mënyra për të ndërtuar sintetikisht pjesë të ADN-së njerëzore, madje një ditë të krijojë një kromozom të plotë.
Organizata “Welcome Trust” ka financuar këtë projekt me 10 milionë funte, derisa ekspertja Julian Sale, ka thënë se po synohet që të “lexohet” dhe të “shkruhet e krijohet” molekula më e rëndësishme në trupin e njeriut.
“Qëllimi është ndërtimi sintetik i kromozomeve njerëzore, për të studiuar sëmundjet dhe për të krijuar trajtime më të duhura”, ka thënë Sale, derisa u shpreh se teknologjia me inteligjencë artificiale do të shfrytëzohet për të gjeneruar qeliza të reja rezistuese ndaj sëmundjeve, “që mund të përdoren për të riparuar organe si zemra apo mëlçia dhe për të përmirësuar plakjen”.
Si secili projekt shkencor, edhe ky i ka rreziqet e tij.
Kritikët kanë paralajmëruar se krijimi i ADN-së mund të çojë në keqpërdorim të teknologjisë, nisur nga lindja e “foshnjave të projektuara” e deri te krijimi i armëve biologjike apo qenie njerëzore të modifikuara.
“Xhindi doli nga shishja”, ka paralajmëruar profesori Bill Earnshaw nga Universiteti i Edinburgut, që theksoi se në duart e gabuara, teknologjia mund të shfrytëzoet për qëllime të rrezikshme.
Një tjetër shqetësim është komercializimi i kësaj teknologjie. Pat Thomas nga ekipi “Beyond GM” ka thënë se “nëse krijojmë pjesë të trupit apo njerëz sintetikë, kush i zotëron ato?”.
“Kush i kontrollon të dhënat”, ka shtuar ajo.
Megjithatë, ky projekt gjigant shënon një kthesë historike në biologjinë moderne, me potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar njerëzimin, por edhe me rreziqe reale që kërkojnë mbikëqyrje të shtuar.