Profesori Paul Sereno nuk ka mundur ta fshehë zemërimin e tij që një meteorit i rrallë nga Marsi, i zbuluar dy vjet më parë në Niger, u shit në ankand në New York muajin e kaluar.
“E pacipë! E pacipë”, ka thënë Sereno, raporton “BBC”.
Paleontologu, i cili ka lidhje të ngushta me vendin, beson se meteoriti duhet të kthehet në Niger.
Kjo copë milionavjeçare e Marsit, më e madhja e gjetur ndonjëherë në Tokë, u shit për 4.3 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga Sotheby’s. Ashtu si blerësi, shitësi po ashtu u mbajt anonim.
Por, është e paqartë nëse ndonjë nga këto para shkoi për shtetin e Nigerit.
Tregtia e meteoritëve është krahasuar me tregun e artit, me estetikën e rrallësinë që ndikojnë në çmim.
Fotografitë të meteoritit 24.7 kilogramë janë shfaqur në Sotheby’s.
Shumë njerëz kanë nisur të bëjnë pyetje se si ka përfunduar në ankand.
Qeveria e Nigerit në një deklaratë ka shprehur dyshime për ligjshmërinë e eksportit të këtij meteoriti, duke ngritur shqetësime për trafikim të mundshëm të paligjshëm ndërkombëtar.
Southeby’s ka kundërshtuar, duke thënë se u ndoqën procedurat e sakta, por Nigeri ka nisur një hetim mbi rrethanat e zbulimit dhe shitjes së meteoritit, të cilit i është dhënë emri shkencor NWA 16788.
Pak është bërë publike se si përfundoi në një shtëpi ankandi me famë botërore.
Një artikull akademik italian, i botuar vitin e kaluar, tha se u gjet më 16 nëntor të vitit 2023 në shkretëtirën e Saharasë në rajonin Agadez të Nigerit, 90 kilometra në perëndim të Oazës Chirfa, nga në “gjuetar meteoritësh, identiteti i të cilit mbeti i pazbuluar”.
Meteoritët mund të bien kudo në Tokë, por për shkak të klimës së favorshme për ruajtje dhe mungesës së shqetësimit njerëzor, Sahara është bërë një vend kryesor për zbulimin e tyre.
Sipas artikullit italian, NWA 16788 u “shit nga komuniteti lokal te një tregtar ndërkombëtar” dhe më pas u transferua te një galeri private në qytetin italian të Arezzos.
Revista e Universitetit të Firences e përshkroi personin si “një pronar të rëndësishëm të një galerie italiane”.
Meteoriti ishte shfaqur shkurtimisht vitin e kaluar në Itali, përfshirë edhe në Agjencinë Hapësinore Italiane në Romë.
Sotheby’s tha se NWA 16788 u “eksportua nga Nigeri dhe u transportua në përputhje me të gjitha procedurat përkatëse ndërkombëtare”.
Një zëdhënësi i Sotheby’s tha se është në dijeni se Nigeri po heton eksportin e meteoritit. Profesori Sereno, që themeloi organizatën NigerHeritage një dekadë më parë, është i bindur se ligji i Nigerit është shkelur.
Profesori i Universitetit të Chicagos, që vitin e kaluar zbuloi depozita të mëdha të eshtrave të dinozaurëve në Sahara, bën fushatë për ta rikthyer trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Nigerit – duke përfshirë çdo gjë që ka rënë nga hapësira.
Një muze mahnitës në një ishull në lumin Niger, që kalon nëpër kryeqytetin Niamey, po planifikohet t’i strehojë këto objekte.
“Ligjet thonë se nuk mund të nxjerrësh thjesht jashtë vendit, diçka që është e rëndësishme për trashëgiminë e një vendi – qoftë një send kulturor, fizik, natyror apo edhe jashtëtokësor,. E dini, ne i kemi kaluar kohërat koloniale kur e gjithë kjo ishte në rregull”, tha profesori Sereno.