Kuriozitet

Italianët festojnë lindjen e foshnjës së parë të fshatit në 30 vjet

italia

Foto: The Guardian

Në Pagliara dei Marsi, një fshat i lashtë rural në shpatet e Malit Girifalco në rajonin Abruzzo të Italisë, macet tejkalojnë me numër banorët.

Ato enden nëpër rrugicat e ngushta, hyjnë dhe dalin nga shtëpitë dhe shtrihen mbi mure. Mjaullima e tyre është një tingull konstant në qetësinë që ka mbetur pas dekadave të rënies së popullsisë, shkroi Guardian. 

Por kjo ka ndryshuar që nga marsi, kur fshati festoi me entuziazëm një ngjarje të rrallë: lindjen e një fëmije.

Lara Bussi Trabucco është fëmija i parë që ka lindur në Pagliara dei Marsi pothuajse pas 30 vjetësh, duke rritur popullsinë e fshatit në rreth 20 banorë. Ajo është vajza e 42-vjeçares Cinzia Trabucco dhe partnerit të saj Paolo Bussi, 56 vjeç. 

Pagëzimi i saj në kishën përballë shtëpisë u ndoq nga i gjithë komuniteti – përfshirë edhe macet – dhe për shkak të veçantisë së të pasurit një fëmijë në fshat, ajo tani është atraksioni kryesor turistik.

“Njerëz që nuk e dinin as që Pagliara dei Marsi ekzistonte, kanë ardhur vetëm sepse kishin dëgjuar për Laran”, tha nëna e saj.

“Edhe pse ka vetëm nëntë muaj, ajo është e famshme”.

Lindja e Larës është simbol shprese, por gjithashtu një kujtesë e hidhur për krizën demografike në Itali.
Në vitin 2024, lindjet në vend arritën në nivelin më të ulët historik prej 369,944, sipas të dhënave të Istat. Shkalla e fertilitetit gjithashtu ra në nivelin më të ulët.

Arsyet për këtë rënie janë të shumta: pasiguria në punë, emigrimi masiv i të rinjve, mungesa e mbështetjes për nënat që punojnë dhe, si në vende të tjera, rritja e infertilitetit tek meshkujt. Për më tepër, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish zgjedhin thjesht të mos kenë fëmijë.

Situata e çiftit është e pazakontë. Trabucco, mësuese muzike, ka lindur në Frascati, afër Romës, dhe ka punuar në kryeqytet për vite, para se të vendoste të zhvendosej në fshatin ku kishte lindur gjyshi i saj, sepse gjithmonë kishte dëshiruar të rritej familja larg kaosit të qytetit. Ajo u takua me Bussin, një punëtor ndërtimi nga zona, disa vjet më parë.