Kuriozitet

Gjithçka që dihet rreth kurorës së shumëpërfolur të Kate Middletonit

Kate Middleton dhe Princi William

Kate Middleton dhe Princi William

Princesha e Uellsit, Kate Middleton, prezantoi kurorën e saj më të madhe deri më tani, gjithçka rreth trashëgimisë familjare prej 8 milionë dollarëshe.

Vizita e parë shtetërore e Gjermanisë në Mbretërinë e Bashkuar pas 27 vjetësh u shënua me një moment të madh, kur Middleton, për të mirëpritur presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe bashkëshorten e tij, Elke Budenbender, në ngjarjen e organizuar në Kështjellën Windsor, u shfaq për herë të parë me kurorën që quhet Oriental Circlet Tiara.

Dhuratë nga Princi Albert për Mbretëreshën Victoria në fillim të viteve 1850, kjo kurorë u bë pjesë e Thesareve të Kurorës pasi, sipas InStyle, monarkja ua la trashëgim pasardhësve të saj në vitin 1901. Që atëherë, ajo ka mbetur një nga pjesët më të vlefshme të koleksionit mbretëror.

Oriental Circlet Tiara përmban rubinë dhe rreth 2,600 diamante. Ajo u mbajt nga Mbretëresha Elizabeth II vetëm një herë dhe, pas darkës shtetërore me Gjermaninë, tani është një nga vetëm pesë tiarat që Princesha e Uellsit ka mbajtur ndonjëherë. Është gjithashtu më e madhja që ajo ka mbajtur.

Më poshtë gjeni gjithçka që duhet të dini për këtë tiarë 172-vjeçare, e cila magjepsi të pranishmit së fundi më 3 dhjetor 2025.

Portreti i mretëreshës Victoria, i vitit 1879. Fotografi nga Associated Press.

Ishte dhuratë nga Princi Albert për Mbretëreshën Victoria
Historia e saj fillon me vizitën e Princit Albert në Ekspozitën e Madhe në vitin 1851, ekspozita e parë ndërkombëtare e produkteve të prodhuara. Aty, princi u mahnit nga disa motive lulesh. Ai kontaktoi menjëherë Garrard, argjendarin e kurorës, dhe shumë shpejt nisi puna për krijimin e një kurore të re. Fillimisht ajo përmbante diamante dhe gurë opal, të preferuarit e Albertit. Puna u përfundua në vitin 1853, dhe më pas u ble një qafore, një brosh dhe një palë vathë që përputheshin me të.

Kurora u ridizajnua disa herë
Dizajni origjinal nuk zgjati shumë për shkak të një padie mbi stolitë e familjes, e cila u zgjidh në vitin 1857. Kur dega hanoveriane e familjes fitoi të drejtat mbi stolitë e Mbretëreshës Charlotte, shumë prej gurëve të vendosur në tiarë u hoqën dhe u dërguan në Gjermani. Prandaj, tiara u rikonfigurua me gurë të rinj.

Ridizajnimi i dytë ndodhi falë Mbretëreshës Alexandra, nuses së Mbretëreshës Victoria, e cila besohej se gurët opal i konsideronte si ters. Ajo i zëvendësoi ata me rubinë, por as ajo vetë dhe as pasardhësja e saj, Mbretëresha Mary, nuk e mbajtën këtë tiarë.

Mbretëresha Elizabeth, e njohur sot si Nëna Mbretëreshë. Fotografi nga Getty

Ajo ishte e preferuara e Nënës Mbretëreshë

Mbretëresha Elizabeth, e njohur sot si Nëna Mbretëreshë, e trashëgoi tiarën Oriental Circlet kur ajo dhe mbreti George VI u ngjitën në fron në vitin 1937. Ajo e mbajti shpesh gjatë mbretërimit të saj, përfshirë për një portret të veçantë me rastin e 25-vjetorit të martesës së tyre, i cili më pas u përdor për një pullë përkujtimore.

Dashuria e saj për këtë tiarë ishte aq e fortë, sa Mbretëresha Elizabeth II nuk e mori në zotërim deri pas vdekjes së nënës së saj në vitin 2002. Në fakt, Mbretëresha e përdori vetëm një herë, gjatë një banketi në Maltë në vitin 2005.

Ajo përmban rreth 2,600 diamante

Me diamante dhe rubinë të shumtë, Oriental Circlet Tiara është një nga pjesët më të vlefshme të koleksionit mbretëror. Vlerësimet e saj sillen rreth 8 milionë dollarëve, megjithëse historia e saj e bën në thelb të paçmueshme.

Është një nga vetëm pesë tiarat që Kate Middleton ka mbajtur ndonjëherë

Kur Middleton vendosi ta mbante këtë tiarë gjatë vizitës shtetërore të Gjermanisë, ajo iu bashkua një liste shumë të kufizuar prej vetëm katër tiarash të tjera që ajo ka mbajtur.

Ajo është gjithashtu më e madhja dhe më e ndritshmja. Në aspekt simbolik, zgjedhja e saj ishte një gjest shumë i mençur për nder të mysafirëve gjermanë, duke pasur parasysh se familja e Princit Albert ishte me origjinë gjermane.

Sa për tiarat e tjera që ka mbajtur princesha, ato janë: Strathmore Rose Tiara, të cilën Middleton e nxori nga arkivi në vitin 2023, Queen Mary Lover’s Knot, Lotus Flower Tiara dhe Cartier Halo Tiara, këtë të fundit e mbajti vetëm një herë, në ditën e martesës më 29 prill 2011.