Kuriozitet

Fosili i rrallë i Ceratosaurus shitet për 30.5 milionë dollarë

Ceratosaurus

Një fosil i rrallë i Ceratosaurus (zvarranik me brirë), një nga vetëm katër të tillë në botë, është shitur në ankand për 30.5 milionë dollarë, shkruan CNN.

Sipas një deklarate të publikuar të mërkurën nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s, ky fosil është “një nga shembujt më të mirë dhe më të plotë të këtij lloji që është gjetur ndonjëherë”.

Fosili, i vetmi ekzemplar i një Ceratosaurusi të ri nga katër që ekzistojnë, u shit disa herë më shumë sesa vlerësimi fillestar prej 4 deri në 6 milionë dollarë, pas një beteje gjashtëminutëshe mes gjashtë ofertuesve.

Ceratosaurus nasicornis ishte grabitqar mishngrënës me një brirë mbi hundë, dhëmbë të gjatë dhe një lloj mburoje kockore që i shtrihej në shpinë dhe bisht.

Ky fosil i ri i Ceratosaurusit ka lartësi prej 1.9 metrash dhe gjatësi prej 3.25 metrash. Ai përbëhet nga 139 elementë kockorë, prej të cilëve 57 i përkasin kafkës.

Fosili u zbulua në vitin 1996 në Wyoming të SHBA-së dhe i përket periudhës së vonë të Jurassicut, rreth 150 milionë vjet më parë.