Një video e liderëve evropianë - të shfaqur si fëmijë përmes inteligjencës artificiale - e prezantuar në Tiranë të premten, është bërë virale në të gjithë botën.
Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që u mbajt në Tiranë u shfaqën të gjithë liderët evropianë të portretizuar si fëmijë tek qeshnin. E të gjithë liderët u panë duke qeshur edhe gjatë transmetimit.
Më shumë se 40 liderë në këtë video të gjeneruar nga inteligjenca artificiale dëgjoheshin tek thoshin “Mirë se vini në Shqipëri” në gjuhën e vet kombëtare.
Për videon, kanë shkruar mediume të shumta botërore, përfshirë CNN-in e “Politicon”. Teksa CNN-i ka shpërndarë videon, “Politico” ka shkruar se si kryeministrja italiane, Giorgia Meloni gjatë fjalimit të mëvonshëm ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për videon dhe se e ka bërë të ndihet sërish fëmijë.
E videoja e publikuar në kanalin e kryeministrit Rama në Facebook për një ditë ka marrë gati gjysmë milioni klikime.