Është dëbuar nga Kosova zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Igor Popoviq, i cili e fyeu UÇK-në. Urdhrin e caktoi gjykata, pasi që dënimin me 6 muaj burgim ia zëvendësoi me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe me ndalimin e hyrjes në Kosovë për dy vjet. Dënimi u shqiptua pas marrëveshjes së Popoviqit me Prokurorinë
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim zyrtarin e Qeverisë së Serbisë, Igor Popoviq, i cili gjatë një tubimi në Hoçë të Madhe të Rahovecit e fyeu UÇK-në, duke e quajtur organizatë terroriste. Por ai nuk do ta kryejë dënimin në qeli, meqë në marrëveshje me Prokurorinë paraprakisht e pranoi fajësinë për veprën penale “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, dhe u pajtua që dënimi t’i zëvendësohet me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe t’i ndalohet hyrja në Kosovë për një periudhë prej dy vjetësh.
Shpalljen e aktgjykimit e bëri të premten gjyqtari Kujtim Krasniqi, ndërsa seanca u mbajt në Departamentin për Krime të Rënda. Gjatë shpalljes së vendimit, Popoviqi nuk ishte i pranishëm në sallë.
“Gjykata, komfort dispozitave penale dhe procedurale, të njëjtin e gjykon me dënim me burgim, me kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim, me pëlqimin e të akuzuarit, zëvendësohet me dënim me gjobë me shumën prej 3 mijë eurosh. Këtë dënim i akuzuari është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditëve pas plotshmërisë së këtij aktgjykimi. Koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 17 korrik 2025 deri më 08 korrik 2025, i llogaritet në burgim të shqiptuar. Gjykata i shënon edhe gjykim plotësues, urdhërohet dëbimi i të pandehurit, Igor Popoviq, nga territori i Republikës së Kosovës dhe i ndalohet hyrja për dy vjet. Të akuzuarit i ndërpritet masa e paraburgimit, sot, më datë 08.08.2025, me vendim të posaçëm dhe të arsyetuar”, ka thënë gjyqtari Kujtim Krasniqi.
Vendimi u shqiptua pasditen e së premtes, e paradite u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar, ku prokurorja e rastit, Fikrije Krasniqi-Zejnullahu, kërkoi që Popoviqi të dënohet konform marrëveshjes me të.
“Nga marrëveshja rezulton që Gjykatës i propozojmë që t’ia shqiptojë po të njëjtit dënim sipas marrëveshjes, që për veprën penale për të cilën akuzohet të gjykohet me gjashtë muaj burgim, i cili dënim t’i zëvendësohet me dënim me gjobe në lartësi prej 3 mijë euro. Në të njëjtën kohë, t’i shqiptohet dënimi i plotësuar - dëbimi nga shteti i Kosovës në afat prej dy vjetësh, për çka edhe jemi pajtuar”, ka thënë Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, prokurore e rastit.
Ky propozim u pranua nga të gjitha palët në procedurë. I akuzuari Popoviq nuk pati asgjë për të shtuar.
“Jo, nuk kam çfarë të shtoj”, ka thënë i akuzuari Popoviq.
E, avokati i tij, Millosh Deleviq, tha se i qëndron marrëveshjes dhe nuk kishte kundërshtime.
“ I qëndrojmë mbrapa marrëveshjes për pranim të fajësisë. Nuk kam çka të shtoj”, ka deklaruar avokati i Popoviqit, Millosh Deleviq.
Popoviqi e mban pozitën e ndihmësdrejtorit në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ai u arrestua më 19 korrik në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak, një ditë pasi mbajti fjalim në fshatin Hoçë të Madhe, gjatë të cilit Ushtrinë Çlirimtare e quajti organizatë terroriste.
Popoviqi e kishte cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste dhe i krahasoi veprimet e saj me ato çka po ndodhin në Gazë, gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoninë për përkujtimin e viktimave serbe në komunën e Rahovecit.
Gjithashtu, në këtë deklaratë ai i ka akuzuar institucionet ndërkombëtare për “dështim në drejtësi”, duke pretenduar se “autorët e krimeve ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar asnjëherë”.
Më 5 gusht, Prokuroria njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Igor Popoviqit dhe se i njëjti e ka pranuar fajësinë për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Popoviq: Qëndroj prapa fjalëve për UÇK-në, s’kam bërë kurrfarë marrëveshje
Megjithëse Gjykata Themelore në Prishtinë deklaroi se zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Igor Popoviq kishte arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë, vetë ai e mohoi një gjë të tillë në një deklaratë për Kosova Online, duke e quajtur drejtësinë në Kosovë si “politikisht të instrumentalizuar”.
“Sapo kalova kufirin administrativ. Një periudhë e vështirë ka mbaruar, por asgjë nuk është më e keqe se ajo që po kalojnë serbët e tjerë që janë të burgosur nga drejtësia e Zotit. Le të jemi të qartë menjëherë, këtu nuk ka asnjë marrëveshje me gjyqësorin e Kurtit, sepse unë nuk pranoj asnjë faj për atë që thashë”, u shpreh Popoviq.
Ai tha se qëndron pas deklaratave të tij në Rahovec, kur i kishte cilësuar pjesëtarët e UÇK-së si “terroristë” dhe akuzoi drejtësinë kosovare për përndjekje politike.
“Ky proces është vetëm pasojë e presionit nga gjyqësori i instrumentalizuar politikisht në Prishtinë dhe si i tillë nuk ka forcë”, theksoi ai. (ekonomiaonline)