Punëtorë e zyrtarë të pesë institucioneve kanë protestuar para objektit të komunës në Prishtinë duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës, sistematizim të vendeve të tyre të punës dhe zbatim të vendimeve të Kuvendit Komunal e Këshillit të Pavarur mbikëqyrës nga kryetari Përparim Rama. Protestën e ka përkrahur edhe Shoqata Sindikale e Komunës së Prishtinës
Punëtorë të Teatrit “Dodona”, Arkivit të Komunës së Prishtinës, Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Qendrës për Kulturë dhe Rini si dhe zjarrfikësit e kryeqytetit kanë protestuar të martën para Komunës së Prishtinës duke kërkuar kushte më të mira pune.
Ata po ashtu kërkuan sistematizim të vendeve të punës e zbatim të vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë.
Protestën e ka përkrahur edhe Shoqata Sindikale në Komunën e Prishtinës.
“Komunës së Prishtinës i mungon një rregullore e tillë dhe përshkrimi i detyrave të punës i mungon thuajse çdo punëtori. Kërkesa e dytë ka qenë zbatimi i vendimeve të Këshillit të Pavarur, ku vendimet e tillë nuk janë duke u zbatuar me kohë dhe marrin procedura të shumta dhe kohë të madhe deri të zbatohen. Kërkesa e tretë që ka qenë, është zbatimi i vendimeve të Kuvendit Komunal të Prishtinës në raport me të drejtat e punëtorëve”, ka thënë Ahmet Gashi, kryetar i Shoqatës Sindikale të Komunës e Prishtinës.
E sindikalistë që punojnë në administratë kërkuan zbatim të vendimeve të Kuvendit Komunal.
“Në qoftë se shërbimet në Komunën e Prishtinës janë mirë, janë falë punës së juaj të pa lodhshme...Më mirë t’i kishin lënë vetëm 4-5 darkat e tyre i kishin mbuluar kërkesat e juaja. Prandaj, ata të cilët heshtin dhe nuk i mbrojnë të drejtat e tyre janë të predispozuar ta pranojnë nënshtrimin”, ka deklaruar Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike.
E punonjësit e komunës kanë thënë se kërkesat e tyre janë shpërfillur nga kryetari i komunës.
“Nuk po kërkojmë lëmoshë, ne po kërkojmë drejtësi, vazhdimisht kemi bërë kërkesa tek kryetari, kërkesat tona janë shpërfillur. Kështu që ne duam përkrahje, ne duam mbështetje nga kryetari. Ne duam që vendimet e kuvendit të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve të zbatohen”, ka thënë Mentor Dragusha, zyrtar për financa në Komunën e Prishtinës.
Protestuesit kanë paralajmëruar vazhdim të protestave e edhe grevë e përdorim të mjeteve të tjera sindikale nëse injorohen nga komuna.