LAJMET E MBRËMJES

ZRRE-ja nuk ka opsion për situatën pas pezullimit të tarifave nga Apeli

Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka asnjë opsion se si të dilet nga situata e krijuar në sektorin e energjisë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit që vërteton pezullimin e tarifave të reja të energjisë.

Përveç pa zgjidhje, edhe diskutimi në Komisionin për Ekonomi që zgjati pothuajse 3 orë, u bë pa prani të mediave me kërkesë të këtij institucioni, e të cilën ia aprovuan anëtarët e Komisionit.

Mbyllja e Komisionit është kritikuar nga partitë opozitare, edhe pse anëtarët e tyre ishin të pranishëm në mbledhje.

Pas takimit, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka tentuar që t’i ikë deklarimit para mediave. Vetëm pas insistimit ai ka thënë shkurt se vendimi i Gjykatës është duke u zbatuar. Por, nuk ka dhënë asnjë sqarim për kërkesën e KESCO-s për sqarim se si të veprohet tutje.

“KESCO sqarimin le ta kërkojë nga Gjykata”, tha Fejzullahu.

Vendimi i Apelit për tarifat është pranuar nga ZRRE-ja të mërkurën. Por, shtyrja e ekzekutimit të tarifave të reja i është përcjellë KESCO-s tek të premten. Po të njëjtën ditë, një pjesë e konsumatorëve kanë pranuar faturat me tarifat e reja, të cilat janë pezulluar nga Gjykata.

“Ky vendim që është dërguar nga rregullatori ka paqartësi se si duhet të veprojmë ne si operatorë. Për të shmangur keqkuptimet të cilat potencialisht mund të prekin konsumatorët, ne kemi kërkuar sqarime nga ZRRE-ja. Sapo të marrim një përgjigje dhe sqarim nga rregullatori se si të veprojmë, ne do të ndjekim udhëzimet në tërësi”, thuhet nga KESCO.

ZRRE-ja nuk ka sqaruar pse vendimi është dërguar tek të premten.

Për atë që është diskutuar brenda mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, ka njoftuar kryetari i Komisionit, Ferat Shala. Ai ka thënë se vendi momentalisht është pa tarifa të energjisë.

“Bordi aktualisht nuk ka qëndrim, është pa qëndrim të qartë. Ky është si rezultat i një procesi të mëhershëm që na ka sjellë këtë vendim. E kemi pasur një proces jo transparent të ngritjes së tarifave, e kemi pasur një proces me ndërhyrje dhe shkelje në fushën e të drejtave të njeriut dhe një proces me ndërhyrje nga politika në Zyrën e Rregullatorit”, tha Shala.

Një raport i Avokatit të Popullit, i publikuar të hënën, lidhur me vendimin e ZRRE-së për tarifat, e ka konsideruar atë si diskriminues.

“Vendimi i ZRRE-së ka elemente të diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë ndaj konsumatorëve. Vendimi i ZRRE-së për të përjashtuar konsumatorët e veriut të Kosovës nga shtrenjtimi i rrymës krijon situatë të diskriminimit të pjesës tjetër të konsumatorëve. Gjithashtu, subvencionimi në mes të kategorive të konsumatorëve me çmime të rregulluara vë gjithashtu ZRRE-në në pozicion diskriminues”, thuhet nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Sipas IAP-së, vendimi për faturim retroaktiv dhe mosreflektimi në faturë si dhe mosreflektimi i nivelit të subvencionimit në faturë përbën gjithashtu shkelje të së drejtës së konsumatorëve për informim.