LAJMET E MBRËMJES

Zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor

Legjislatura e nëntë është shpërndarë të enjten nga presidentja Vjosa Osmani, pasi për shtatë muaj mandat nuk ka arritur të zgjedhë Qeverinë e re, në dy tentime. Pas konsultimeve me liderë të partive politike, Osmani e ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, me gjithë që në partitë deri tash në opozitë shprehën kërkesë që ato të mbahen 21 dhjetor. E pro 28 dhjetorit u shprehën në Lëvizjen Vetëvendosje, në Listën Guxo dhe në Alternativa

Pa e kryer as edhe një punë të vetme për shtatë muaj mandat, legjislatura e nëntë e Kuvendit ka marrë fund të enjten, me dekretin për shpërndarje të nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani. Pas shpërndarjes së Kuvendit, Osmani e ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Vendimi është marrë si pasojë e dështimit për formimin Qeverinë e re, përbërjen e të cilës e ka propozuar në dy tentime të pasuksesshme Lëvizja Vetëvendosje (LVV). 

Caktimi i datës së zgjedhjeve është bërë pas takimit që presidentja Osmani e ka mbajtur të enjten me liderë të partive parlamentare politike. Osmani ka thënë se në këtë takim e ka bërë përpjekjen e fundit për t’i kthyer deputetët në seancë dhe për t’i miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e vitit 2026, buxhetin për tri komuna dhe financimin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

“Ka ekzistuar baza Kushtetuese e qartë që edhe pas dështimit të mandatarit të dytë të Kuvendit, Kuvendi të mblidhet dhe të marrë vendime. Në mungesë të vullnetit politik që të merren këto vendime, nuk ka pasur zgjidhje tjetër që menjëherë sot ta nënshkruaj këtë dekret. Pra, Kuvendi tashmë është i shpërndarë”, ka bërë të ditur Osmani në një konferencë shtypi të mbajtur pas takimit me liderë të partive.

Në diskutimin rreth datës së zgjedhjeve, liderë të partive deri tash në opozitë – Partia Demokratike (PDK), Lidhja Demokratike (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate – kanë propozuar që procesi zgjedhor të zhvillohet më 21 dhjetor. 

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është kërkuar data më e afërt, pasi që është vlerësuar e domosdoshme që institucionet të krijohen sa më shpejt që është e mundur, pas bllokadës së “krijuar nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit”.

“Presidentja, bazuar në zhvillimet e seancës së djeshme, ku mandatari i dytë nuk arriti t’i sigurojë votat, sot ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Kemi kërkuar që të jetë data 21 për shpalljen e zgjedhjeve. Vendi ka nevojë sa më shpejtë të ketë institucione. Vendi ka nevojë të shpejtë për formim të institucioneve. Data tjetër që u përmend në takim ishte data 28 por ne ishim për datën 21. Nuk shkon në të njëjtën kohë të ketë shqetësim edhe urgjencë për krijim të institucioneve e në anën tjetër të kërkohet data më e vonshme”, është shprehur Hamza.

Domosdoshmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve në datën më të afërt të mundur e ka theksuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Duke qenë se është humbur shumë kohë, duke qenë se ka shumë akumulime të temave buxhetore, kemi propozuar që dita e zgjedhjeve të jetë 21 dhjetor. Mendojmë se në këtë mënyrë do ta fitojmë një javë kohë për vazhdimet buxhetore. Qeveria e Kosovës mund të marrë vendime për të përmbushur disa detyrime buxhetore që i ka si ndaj RTK-së, edhe ndaj palëve tjera. Periudha e para vitit të ri, sepse pushteti po kërkon 28 dhjetorin, kjo periudhë është për familjen dhe është një arrogancë nga politika që me u shpall zgjedhjet më 28 dhjetor”, ka thënë Haradinaj, teksa ka shtuar se subjekti i tij do të marrë pjesë në zgjedhje si i vetëm.

Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar që procesi zgjedhor të mbahet më 21 dhjetor.

“Data më e mirë dhe në fakt e imponuar është data 21 dhjetor. Po mos të zhagitej me mandatarin e dytë, kemi mundur të shkojmë në zgjedhje më 14”, ka thënë Limaj ndërsa ka shtuar se partia e tij do të jetë pjesë e zgjedhjeve të parakohshme qoftë në koalicion, qoftë edhe vetëm.

Për zgjedhje më 28 dhjetor janë përcaktuar Lista Guxo dhe LVV-ja, porse kryetari i saj, Albin Kurti, nuk është deklarua lidhur me këtë. E kryetari i Guxo, Faton Peci, ka thënë kjo datë e mundëson pjesëmarrjen më të madhe në votim edhe të mërgatës.

“Ne e kemi mbrojtur qëndrimin, mes datës 21 dhe 28 dhjetor, kemi preferuar datën 28”, ka thënë ai.

Osmani ka vendosur që zgjedhjet të mbahen më datë 28, pasi që ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do ta ketë të vështirë organizimin e procesit më 21 dhjetor. 

Lidhur me moscaktimin e zgjedhjeve më 4 janar, datë kjo që është përfolur, Osmani është arsyetuar me mungesë të buxheti ndërsa për atë të 11 janarit ka thënë se është datë jashtë afateve kushtetuese meqë Kuvendi është shpërndarë të enjten e 20 nëntorit. Ajo i ka hedhur poshtë akuzat që i janë drejtuar nga subjektet tjera se me përcaktimin e datës së 28 dhjetorit e ka favorizuar LVV-në.

“Data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se mbetet data e vetme e mundshme, sado që edhe kjo datë paraqet, deri diku, sfida për KQZ-në... E kam marrë me vetëdije të plotë, me besim të plotë që ky vendim është vetëm e vetëm në interes të Kosovës”, ka thënë ajo.

Caktimin e zgjedhjeve në datën që e ka kërkuar e ka mirëpritur kryetari i LVV-së.

“Duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore e kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Për zgjedhjet në Facebook ka shkruar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë thjesht për të vendosur kush udhëheq me një Qeveri. Këto zgjedhje janë për të vendosur se kush jemi ne dhe kush duam të jemi si vend; si popull, si gjeneratë”, ka shkruar ai.

Si pasojë e mungesës së konsensusit politik, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë që prej zgjedhjeve parlamentare të fillimvitit. Tani shkon në zgjedhje të reja, pa i miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej rreth 200 milionë euro, pa e miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, atë për RTKN-në dhe për komunat e Prishtinës, Gjilan dhe Zubin Potokut.

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë të tretat që do të mbahen brenda këtij viti, pas atyre nacionale të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit.