Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Zëdhënësi i Qeverisë dhe deputeti i VV-së dënohen me nga 18 muaj burgim

Azemi - Manxhuka

Dy zyrtarët e Vetëvendosjes janë dënuar për reagimet e tyre ndaj vendimit të gjyqësorit për ndryshim të masës së paraburgimit ndaj Dejan Pantiqit, i arrestuar më 2022 dhe i akuzuar për sulm terrorist në veri. Reagimet e tyre janë cilësuar si nxitje e përçarjes dhe mosdurimit. Ata kanë reaguar edhe të martën, pas vendimit të Themelores për dënimin e tyre

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar të martën dy zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. 

Deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, dhe zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga një vit e gjysmë burgim.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aktgjykimi dënues nuk është i formës së prerë dhe palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

“Të pandehurit Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi janë fajtorë sepse kanë kryer veprën penale ‘nxitja e përçarjes dhe mos-durimit’ nga neni 141 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të pandehurit Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani po ashtu janë fajtorë, po ashtu për shkak të veprës penale të kanosjes, neni 181, paragrafi 1 i KPRK-së. Gjykata në pajtim me nenet e Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, i gjykon: të pandehurit Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi për veprën penale nxitje e përçarjes dhe mos-durimit nga neni 141 u shqiptohet dënim me burgim secilit veç e veç në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj, i cili dënim do të ekzekutohen në afat prej 30 ditësh prej plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Të pandehurit Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, u shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje, secilit veç e veç, prej gjashtë muajsh”, ka thënë kryetari i trupit gjykues Kushtrim Shyti.

Deputeti Egzon Azemi ka shprehur kundërshtim lidhur me vendimin. Sipas tij, një vendim i tillë nuk do t’ua mbyllë gojën.

“Ata që lirojnë terroristët serbë që gjuajnë bomba duan të na dënojnë neve aktivistëve shqiptarë vetëm sepse reaguam ndaj këtij skandali....Krejt kjo nga ata që i nënshtrohen Serbisë. Pra, në total 4 vjet burg për ata që reagojnë kur lirohen kriminelët serbë që gjuajnë bomba e vrasin policë. Çantat që vijnë andej kufirit të Republikës kurrë nuk do të na mbyllin gojën”, ka thënë Azemi.

Ka reaguar edhe Manxhuka në Facebook, por pa e përmendur aktgjykimin e së martës ndaj tij.

“Ndikimi i Serbisë në veri, bandat kriminale atje janë shpartalluar. Ajo që jo që nuk u bë, por që u stimulua për mbi 20 vjet, u luftua dhe u çmontua për vetëm një mandat. Natyrisht, kemi qenë të bindur që do të prishen shumë interesa. Por, jemi ballhapur, pjesa që nisi të cilësohej ‘Dhuratë e Rankoviqit’ po merr jetë si kurrë më parë si mrekulli e bukuri e Republikës së Kosovës. Përpara. Vazhdojmë”, ka shkruar Manxhuka.

Në nëntor të vitit 2023 prokurorët ngritën aktakuzë ndaj Manxhukës dhe Azemit për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndaj një gjykatësi dhe një prokurori në Prishtinë.

Në kohën kur aktakuza ishte ngritur ndaj tyre, Manxhuka ishte zëdhënës i LVV-së, ndërsa Azemi anëtar i partisë.

Sipas aktakuzës, Manxhuka dhe Azemi, më 28 dhjetor të vitit 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social Facebook me dashje kishin përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj gjykatësit Mentor Bajraktari dhe prokurorit special, Afrim Shefkiu, pas vendimit të tyre asokohe për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.

Pantiq, ish-polic serb i Policisë së Kosovës, ishte arrestuar më 10 dhjetor të vitit 2022 nën dyshimin për organizmin e sulmit terrorist të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Rasti i tij kishte shkaktuar reagime në vend.

“I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: ‘Ky aktgjykim është akt tradhtie’, pastaj kanë vazhduar me postime të tjera nxitëse ‘Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: ‘Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha’, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: ‘Tradhtarët plumbin e kanë hak’, thuhej në aktakuzë.

Në bazë të aktakuzës së ndryshuar në vitin 2026, Manxhuka dhe Azemi, akuzohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërsa Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj për “Kanosje” drejtuar ish-prokurorit Afrim Shefkiu dhe gjyqtarit Mentor Bajraktari.

Edhe Elshani e Zenelaj të martën janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 6 muaj burgim secili.
Në vendimin e parë për këtë rast Themelorja e pati liruar Manxhukën nga akuza për nxitje të përçarjes, Azemin e Elshanin i pati dënuar me nga 6 muaj burgim për kanosje, ndërsa Zenelajn me 6 muaj burgim për nxitje të përçarjes.