Krimi brenda familjes në një banesë në Prizren i ka marrë jetën një 15-vjeçareje dhe ka lënë të plagosur motrën e saj 10-vjeçare. Sipas autoriteteve, krimi dyshohet se është kryer nga babai i vajzave, i cili është shtetas i Turqisë dhe që prej 6 muajsh u vendos në Kosovë
Një 15-vjeçare ka mbetur e vdekur nga plagët që i janë shkaktuar me thikë në banesën ku jetonte në Prizren, kurse motra e saj 10 vjeçe është plagosur. Sipas autoriteteve, i dyshuar për kryerjen e krimit është babai i tyre, 44-vjeçar, i cili ka shtetësi të Turqisë, por që prej gjashtë muajsh është vendosur në Kosovë me familje.
Lëndime ka marrë edhe nëna e vajzave.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se i dyshuari është arrestuar.
“Policia ka marrë informacione se në këtë vend emergjenca është ftuar për t’i dhënë ndihmë personit të lënduar, por në vendngjarje ndodhet një person i dyshuar me thikë në dorë dhe nuk mund të ofroj ndihmë. Policia menjëherë ka reaguar me 4 patrolla policore nisur në drejtim të vendit të ngjarjes dhe e kanë arrestuar të dyshuarin”, ka thënë zëdhënësi Bytyqi.
E kryeprokurori i Themelores në Prizren, Petrit Kryeziu, ka thënë se ende nuk janë mësuar motivet e krimit. Ai ka bërë të ditur se i dyshuari punonte në një lokal të gastronomisë.
“Është hera e parë që janë në evidencat policore dhe prokuroriale, sepse nuk ka të kaluar kriminale personi. Nuk kemi të evidentuar as ndonjë raportim që ka pasur ndonjë dhunë në familje, por as ndonjë vepër tjetër penale”, ka deklaruar Kryeziu.
Vdekjen e 15-vjeçares e kanë konstatuar mjekët, ndërkaq 10-vjeçarja që ka marrë plagë në qafë, është transferuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
“Me tri plagë që i ka shkaktuar vetë pacienti, një në regjionin e gjoksit dhe dy të barkut, pas të gjitha ekzaminimeve që janë kryer në qendrën emergjente, pacienti është pranuar në repartin e kirurgjisë. Gjendja e pacientit për momentin është stabile. Në orën 9 policia e ka sjellë edhe bashkëshorten e personit, e cila gjatë ekzaminimit nuk ka pasur ndonjë lëndim serioz, disa gërvishtje në regjionin e fytyrës dhe është trajtuar në aspektin e ngarkesës psikologjike”, ka thënë Afrim Jahaj, mjek i Emergjencës në Prizren.
Rastin e ka dënuar presidentja Vjosa Osmani, duke e cilësuar si akt barbar që duhet ndëshkuar me forcë maksimale.
“Shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi! Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot, ku njëra vajzë vritet nga dora e babait dhe vajza tjetër mbetet e plagosur së bashku me nënën e saj, nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë. Për secilën shoqëri e secilin shtet! Ky nuk është thjesht një krim. Është një akt barbar”, ka shkruar ajo në Facebook. Po ashtu u ka kërkuar organeve kompetente që të veprojnë me forcën maksimale të ligjit
“Zbardhje e plotë, ndëshkim maksimal – ky është minimumi që kërkon drejtësia në këtë rast. Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim! Parandalim për ta ndalur dorën që godet, për të shpëtuar jetët që sot janë të pambrojtura”, ka shkruar ajo.
E ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dhuna në familje është e papranueshme, dhe ka theksuar se organet e rendit janë duke punuar me kapacitet të plotë për ta zbardhur rastin.
“Ky akt i tmerrshëm i dhunës në familje është i papranueshëm dhe përbën një krim që duhet të dënohet maksimalisht. Në emrin tim personal dhe si koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e vajzës së ndjerë dhe solidarizohem me qytetarët që me të drejtë ndiejnë zemërim dhe trishtim përballë këtij akti kriminal. Uroj shërim të shpejtë për vajzën që po merr trajtim mjekësor dhe përkujdesje të vazhdueshme për të kaluar këtë traumë të rëndë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.