Shoqata “Down Syndome Kosova” ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme kundër PZAP-së, e cila e ka refuzuar ankesën e shoqatës ndaj udhëzuesit të KQZ-së për votim me asistencë. Në ankesë theksohet se PZAP-ja ka bërë vlerësim të mangët edhe në raport me rregulloren zgjedhore për procedurën e votimit, përfshirë votimin me asistencë
Ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) ka dorëzuar shoqata “Down Syndrome Kosova”. Kësaj shoqate i është refuzuar nga PZAP-ja ankesa që ata kishin bërë kundër udhëzuesit të KQZ-së për votim me asistencë, i cili parasheh që personat me aftësi të kufizuara, të cilët votojnë me asistentë, të kenë edhe raportin mjekësor.
Në ankesën e dorëzuar në Supreme pretendohet se vendimi i PZAP-së është nxjerrë mbi një interpretim të gabuar e vlerësim të mangët të fakteve relevante.
“Po e dorëzojmë ankesën në Gjykatën Supreme kundër PZAP-së. Ne duam shumë dhe besojmë që Gjykata Supreme do t’i vlerësojë dhe do t’i analizojë të gjitha të drejtat, apo të gjitha ligjet dhe normat e tjera në fuqi, që garantojnë dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve me aftësi të kufizuara. Asnjë moment nuk guxojmë të lejojmë që aftësia e kufizuar të trajtohet vetëm nga aspekti shëndetësor. Qytetarët me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës, të gjithë ata që kanë statusin e një qytetari me aftësi të kufizuar, kanë një vendim nga Ministria përkatëse”, ka bërë të ditur Sebahate Hajdini – Beqiri, drejtoreshë ekzekutive e shoqatës “Down Sindrome Kosova”.
Sipas drejtoreshës Hajdini-Beqiri, vendimi i PZAP-së është vlerësim i mangët në raport me rregulloren zgjedhore, e cila e rregullon procesin e votimit.
“KQZ-ja duhet të ketë parasysh që ky udhëzues duhet të kërkojë vetëm vendimin e aftësisë së kufizuar, jo të kërkohen raporte mjekësore, sepse në këtë rast ka shumë gjasa që të keqpërdoret aftësia e kufizuar, që edhe ata persona të cilët nuk janë, apo nuk kanë statusin e personit me aftësi të kufizuar, në bazë të ligjeve që i kemi në fuqi mund ta posedojnë një raport nga një specialist mjekësor, për të pasur të drejtën e votimit me asistencë”, ka thënë Hajdini-Beqiri.
Ajo ka treguar se si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka nxjerrë udhëzimin pa konsulta paraprake me shoqatat për persona me aftësi të kufizuara.
E anëtari i shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Gentian Bokiqi insistoi se ai ka të drejtë të votojë pa raport mjekësor.
“Unë jam Gentiani dhe kam të drejtë me votu pa raport”, ka thënë Bokiqi.
Sipas PZAP-së, pretendimet e shoqatës “Down Syndrome Kosova” janë të paqëndrueshme dhe të pabazuara, për faktin se në ankesë nuk vërtetohet se KQZ-ja ka krijuar praktika apo udhëzime që cenojnë të drejtat e qytetarëve me aftësi të kufizuara gjatë procesit zgjedhor.