Kuvendi i Kosovës ka shënuar 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç fjalimeve të krerëve të shtetit e të përfaqësuesve të partive politike, vepra e familjes Jashari u përkujtua edhe nëpërmjet këngëve. Në këtë seancë të veçantë, u tha se shteti i Kosovës u ngrit mbi trashëgiminë që la komandanti Adem Jashari dhe ata që ndoqën rrugën e tij.
Nën ritmin e himnit shtetëror e më pas të atij kombëtar, Kuvendi e nisi seancën solemne për të shënuar 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në nderim të anëtarëve të familjes Jashari e të gjithë të rënëve për liri u mbajt edhe një minutë heshtje.
Por, para se të fillonin fjalimet, si kurrë më parë, në Kuvend u interpretuan këngë kushtuar komandantit Adem Jashari.
Para presidentes, anëtarëve të Qeverisë, deputetëve e përfaqësuesve të familjes Jashari, Shkurte Fejza e Ilir Shaqiri interpretuan këngët “sërish vjen marsi” e “mora fjalë”.
Presidentja Vjosa Osmani, tha se në rrugën përpara të shtetit të Kosovës duhet të ruhen dhe kultivohen vlerat për të cilat ka rënë Adem Jashari dhe të gjithë heronjtë e tjerë të Kosovës.
“Sot shteti i Kosovës qëndron pikërisht mbi supet e heronjve tanë, guximi dhe sakrifica e të cilëve e ka formësuar fatin e republikës sonë. Republikës tonë të shenjtë. Kësaj republike ne do t’i shërbejmë me devotshmëri, ashtu siç i shërbyen të gjithë ata dëshmorë të rënë”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca u shprehën se shteti i Kosovës është ngritur mbi trashëgiminë luftarake, kombëtare e politike të Adem Jasharit dhe pasuesve të tij.
“Këmbëngulësia e Adem Jasharit dhe e shokëve të tij luftëtarë për ta çliruar Kosovën, krijoi kushtet e mundësisë për çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj më pas. Sot në Republikën e Kosovës, liria për të cilën kishte luftuar deri në vdekje Adem Jashari, është bërë paradigma bazë e jetës dhe e ligjeve të një shoqërie moderne”, tha Kurti.
“Jasharët në krye me Ademin e Hamzën, me bacin Shaban e të gjithë familjarët, gra e burra, pleq e fëmijë, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri. Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës – Liri a Vdekje”, tha Konjufca.
Fjalime mbajtën edhe përfaqësues të grupeve parlamentare.
PDK-ja përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Kur e kujtojmë Epopenë e komandantit legjendar Adem Jashari, nuk mund të harrojmë edhe bashkëluftëtarët e tij që sot janë në Hagë duke bërë betejën e radhës për Kosovën. Presidentin Hashim Thaçi, kryetarin Kadri Veselin, kryetarin Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin”, tha Abelard Tahiri, shef i GP të PDK-së.
“Të punojmë fort e t’i ruajmë miqësitë e Kosovës me miqtë e përjetshëm. Kurrë miqve mos t’ua mbyllim derën, kurrë armiqtë mos t’i lejojmë të shkelin në pragun e shtëpisë. Kjo është detyra jonë këtë ia kemi borxh Adem Jasharit dhe familjes heroike Jashari”, tha deputeti i LDK-së, Anton Quni.
“Datat 5, 6 dhe 7 mars shënojnë kthesën e madhe për Kosovën, aty ku ndryshoi ora e historisë, aty ku u bë një epokë. Shtëpia, oda e familjes Jashari ishte kthyer në kuvendin e shumë takimeve të luftëtarëve për liri”, tha shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri.
Më 5, 6 dhe 7 mars të 1998 forcat serbe vranë 59 persona në Prekaz, prej tyre 55 anëtarë të familjes Jashari.
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë nisi të festohej më 6 mars të vitit 1999 nga Trupa Artistike “Hamëz Jashari” .