LAJMET E MBRËMJES

Vetëvendosje lavdërohet me produktivitetin e legjislaturës së tetë

Përfaqësues të partisë në pushtet e kanë lavdëruar punën e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend. Ata, të mërkurën, numëruan ligjet, sipas tyre, të rëndësishme që morën miratimin e deputetëve gjatë vitit, dhe vlerësuan legjislaturën e tetë të Kuvendit si më produktiven në historinë parlamentare

Me gjithsej 218 ligje të miratuara dhe 45 projektligje në procedurë, Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar legjislaturën e tetë të Kuvendit si më produktiven në historinë parlamentare.

Meritat për punën e bërë përfaqësues të partisë në pushtet ia atribuuan vetes, në konferencën përmbyllëse të 2023-s, të mërkurën.

Sivjet u miratuan 71 ligje e për dallim nga viti i kaluar 39 më pak, megjithatë shefja e Grupit parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ky vit ka qenë i suksesshëm në përmbajtje.

“Ka pasur disa prej projektligjeve të cilat në vitin e kaluar janë bërë në harmonizim me Ligjin për kundërvajtje, d.m.th. kanë pasur një mori ligjesh që është dashur që të harmonizoheshin dispozitat ligjore të projektligjeve të miratuara më herët në Kuvendin e Kosovës me ato për kundërvajtje, prandaj edhe miratimi i tyre ka qenë në procedurë më të shpejtë. Përderisa për dallim këtë vit ka pasur ligje më përmbajtjesore në kuptimin e reformës së mirëfilltë, ato të cilat i përmenda, qoftë në sektorin e ekonomisë dhe energjisë, qoftë në sektorin e shëndetësisë, në atë të skemave sociale e pastaj në disa sektorë të tjerë”, ka thënë ajo.

Edhe viti 2023 përmbyllet pa miratimin e Kodit Civil, për miratimin e të cilit një vit më parë ishte shprehur optimiste se do të bëhej sivjet.

“Po. Kemi pritur këtë vit, për shkak të rrethanave të ndryshme ende nuk është miratuar në Qeveri. Viti i ardhshëm është viti final i legjislaturës dhe unë besoj që vitin e ardhshëm do ta kemi mundësinë përveçse ta trajtojmë, natyrisht edhe ta miratojmë në dy leximet Kodin Civil. Me këtë rast do të jetë viti i fundit që kemi mundësi si legjislaturë e 8-të të miratojmë një projektligj të tillë”, ka shtuar ajo.

Duke renditur ligjet që janë miratuar, deputeti Adnan Rrustemi ka deklaruar se kanë shtyrë përpara reforma në sektorë të ndryshëm.

“Grupi parlamentar i LVV-së dhe kjo legjislaturë kanë arritur të shtyjnë përpara reforma në sektor të ndryshëm në kuptimin e ligjbërjes. Gjatë këtij viti janë miratuar 71 ligje në sektorë të ndryshëm si rrjedhojë e angazhimit për të përmbushur programin qeverisës të LVV-së”, ka deklaruar Rrustemi.

Gjatë vitit Kuvendi ka zhvilluar 52 seanca plenare e ligjvënësit shumë herë nxitën më shumë dhunë se diskutim. E bllokuan punën e Kuvendit, munguan në seanca, u shanë, u fyen, u rrahën mes vete e me ministra.