Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Veteranët paralajmërojnë vazhdimin e protestave nëse s’ka reflektim institucional

veteranet

Foto: Driton Paçarada

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë thënë se nëse nuk ka reflektim institucional, protestat do të vazhdojnë. Protesta është organizuar para Kuvendit, pasi ky institucion e ka financuar ekspozitën. E miq të autorit të ekspozitës Shkëlzen Gashi, kanë njoftuar se Njësiti i drejtorisë së Krimeve të Rënda i policisë, me urdhëresë të Prokurorisë Speciale ka bastisur banesën e Gashit të hënën

Qytetarë e përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë protestuar të hënën në oborrin e Kuvendit, në shenjë pakënaqësie për ekspozitën e shfaqur ditë më parë në sheshet e Prishtinës, e ku u pasqyruan të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë thënë se nëse nuk ka reflektim institucional, protestat do të vazhdojnë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Protesta është organizuar para Kuvendit, pasi ky institucion e ka financuar ekspozitën.

E nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Xhavit Jashari, ka akuzuar edhe Qeverinë e Kosovës, duke thënë se është kundër UÇK-së.

“Degradimi kaq i rëndë dhe i skajshëm i kësaj qeverie vjen sepse brenda saj ka ministra të cilët janë anti-UÇK. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar publikisht se më mirë dhe më lirë do të na kushtonte liria e këtij vendi po t’i kishim paguar mercenarët, që është fyerje e rëndë për veteranët”, ka thënë Jashari.

Jashari ka hedhur dyshime se të dhënat e paraqitura në ekspozitën e Shkëlzen Gashit janë marrë nga shërbimet sekrete serbe dhe u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të reagojnë.

“Ne dyshojmë se të gjitha informacionet janë marrë nga shërbimet sekrete serbe, të cilat mundohen të barazojnë krimet që kanë bërë me luftën tonë të drejtë. Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës të reflektojnë dhe të ndalin degradimin e luftës së drejtë dhe të pastër të Kosovës”, ka thënë ai.

Rrahman Ramadani, protestues ka thënë se arsyeja e protestës është padrejtësia që, sipas tij, po u bëhet veteranëve të UÇK-së.

“Pjesëmarrja në protestë është për shkak të padrejtësive që po u bëhen veteranëve të luftës dhe dëshmorëve. Kjo ekspozitë është e papranueshme; autori ka bërë një punë shumë të rëndë, duke shkelur gjakun e dëshmorëve dhe viktimave. Bëjmë thirrje që këto veprime të ndalen”, është shprehur ai.

Protestës i janë bashkuar edhe deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Në mënyrë konsistente është bërë përpjekje që të kemi shifra dhe informata të sakta për dëshmorët, martirët dhe të pagjeturit. Mirëpo kjo nuk duhet t’i japë askujt të drejtën që të burgosurit e Dubravës t’i cilësojë si persona të armatosur”, ka thënë deputetja Blerta Deliu.
E deputeti Përparim Gruda ka kërkuar që të gjitha botimet me të dhëna të pasakta duhet të tërhiqen.
“Nëse flasim për masakrën e Jasharëve, nuk kemi nevojë as për Natasha e as për fondin; mjafton të shkojmë në Prekaz dhe t’i numërojmë varret një nga një. Mos të krijojmë klimë sikur nuk ka të dhëna — varret janë fakte që i prek secili. Nuk është çështja se Kosova nuk ka pasur të dhëna, por ka pasur tendencë për ta shtrembëruar historinë. Kërkimfalja është e domosdoshme dhe duhet të tërhiqet çdo botim e ekspozim i tillë”, ka thënë Gruda.

Ish-aktivisti i LVV-së dhe miku i Shkëlzen Gashit, Rron Gjinovci, ka njoftuar se Njësiti i drejtorisë së Krimeve të Rënda i policisë, me urdhëresë të Prokurorisë Speciale ka bastisur banesën e Gashit.

Ekspozita e shfaqur në sheshin e Prishtinës ka paraqitur të dhëna të pasakta për 49 masakra të kryera nga forcat serbe në Kosovë. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë, ndërkohë që Instituti për Krime Lufte në Kosovë thekson se numri është të paktën 45 civilë shqiptarë.

Nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) kanë thënë se Gashi nuk diti t’i lexojë të dhënat për masakrat.