Komuna të ndryshme të Kosovës po e vazhdojnë përballjen me vatra të reja zjarresh. Më e goditura është kualifikuar komuna e Klinës. Kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj, ka thënë se dy vatra janë të mëdha
Dyzet e një vatra të reja zjarri në të gjithë Kosovën i ka evidentuar Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave deri në mesditën e së hënës, krahas 80 të tjerave të një dite më parë.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se pesë vatra mbesin ende aktive, teksa ka thënë se po punohet në parandalimin e shpërndarjes së tyre.
“Mbështetja jonë do të vazhdojë, në bashkëpunim të ngushtë me AME-në dhe me të gjitha komunat, në mënyrë që secila palë, në përputhje me kompetencat, të kontribuojë në përballimin sa më të mirë të situatave në terren nga ekipet tona zjarrfikëse”, ka thënë Sveçla.
Përhapje të zjarreve pati në Prishtinë, Suharekë, Mitrovicë, Klinë, Gjakovë, Podujevë, Prizren, Ferizaj, Istog e qytete të tjera.
Më e goditura është kualifikuar komuna e Klinës. Kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj, ka thënë se dy vatra janë të mëdha.
“Deri në orët e vona apo pothuajse deri në orët e mëngjesit, kanë qenë dy vatra më të theksuara, ajo e fshatrave Siqevë, Resnikë, Jelloc dhe një në fshtatrat Zajm, Radulloc, Krushevë e Madhe, e që këto dy vatra kanë qenë të mëdha dhe është bërë punë e madhe nga ana e zjarrfikësve dhe janë lokalizuar”, ka thënë Elezaj.
Malë Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, ka thënë se që nga fillimi i korrikut ekipet janë aktivizuar në shuarjen e rreth 540 zjarreve.
“Është e vështirë të menaxhohet, kur shpërthejnë për një kohë të shkurtër. Vetëm të premten, pas mesditës, për një kohë shumë të shkurtër kanë qenë mbi 8 intervenime e deri në mëngjes kanë qenë diku 24 intervenime që e kanë përmbyllur një 12-orësh”, ka deklaruar Gashi.
E, si çështje problematike për shuarjen e zjarreve në Suharekë, kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, e ka theksuar numrin e vogël të zjarrfikësve që i ka komuna, e në të cilën tha se aktive është një vatër zjarri në fshatin Dobërdelan.
“Ne kemi pajisje, kemi kamionë, por stafin e kemi të vogël. E, sipas Ligjeve në fuqi, Suhareka duhet t’i ketë 35 zjarrfikës, ndërsa deri para disa muajsh kanë qenë 9, e tash së fundmi i kanë marrë edhe 4. E që janë 13-14 zjarrfikës, e që me të vërtetë është problem që të plotësohen nevojat në komunën e Suharekës”, ka thënë Muharremaj.
Që nga e shtuna e deri të hënën, bazuar në informatat e siguruara nga komunat, Istogu i ka pasur 20 vatra zjarri, Vushtrria 16, Podujeva 15 e Mitrovica 7.