LAJMET E MBRËMJES

Vdiq Dick Marty, raporti i të cilit u bë shkas për themelimin e Gjykatës Speciale

Marty më 2010 ka qenë autor i raportit për Këshillin e Evropës, në të cilin ai ka dënuar krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”. Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte

Ish-senatori zviceran, Dick Marty, ka vdekur të enjten në moshën 78-vjeçare, ka bërë të ditur partia e tij, Partia Demokracia e Lirë (FDP).

Marty më 2010 ka qenë autor i raportit për Këshillin e Evropës, në të cilin ai ka dënuar krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”. Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Raporti ka bërë që në vitin 2015 t’i hapej rrugë formimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për hetimin e krimeve të pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë tashmë ka nisur procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020.

Më 21 korrik të vitit të shkuar, Kuvendi i Shqipërisë ka votuar unanimisht, me 125 vota të deputetëve, për një rezolutë që i hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, të cilat pretendime kanë burimin te raporti i Këshillit të Evropës. Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në tetor të 2022-s, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar “rrëzimin e akuzave kundër Kosovës dhe pranimin e kërkesës së Shqipërisë për një raport vijues ndaj atij të Dick Martyt”.

Rama ka prezantuar para Këshillit të Evropës rezolutën e Shqipërisë, e cila thotë se pretendimet e ngritura nga Marty për “vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikimit të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë”, janë pretendime që “kanë mbetur të paargumentuara, të paaprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte”. ​

Frederick Abrahams, zyrtar i organizatës për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” dhe dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin ndaj ish-udhëheqësve të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, e ka kualifikuar Martyn si “kampion të të drejtave të njeriut” në një artikull të publikuar në ueb faqen e organizatës.
“Dick Marty fitoi reputacion në të 80-tat si prokuror në raste të krimit të organizuar për kantonin zviceran Ticino. Më vonë ai iu bashkua Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku realizoi një sërë raportesh goditëse, që shpërfaqin shkeljet e të drejtave të njeriut nga fuqi të mëdha. Më 1 dhjetor, Këshilli i Evropës e nderoi atë me çmimin Pro Merito”, ka shkruar Abrahams.

Në prill të 2022-s, ish-senatori zviceran pati thënë për televizionin RTS të Zvicrës, se për disa muaj shtëpia e tij ka qenë nën mbrojtje të shtetit, shkaku i informatave që kishin marrë autoritetet e këtij shteti se mund të vritej prej personave nga Serbia, për t’ua lënë fajin Kosovës dhe shqiptarëve.