LAJMET E MBRËMJES

Udhëheqësit shtetërorë thonë se realiteti i krijuar në Kosovë është i pakthyeshëm

Në Kazermën “Adem Jashari”, u shënua 26-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtarë të Forcës së Sigurisë i kënduan në kor kryekomandantit Adem Jashari, e udhëheqësit shtetërorë thanë se realiteti i krijuar në Kosovë, është i pakthyeshëm.

Kuadratet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me mëngjes janë rreshtuar për ceremoninë e shënimit të “Epopesë së UÇK-së”, në Kazermën “Adem Jashari”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëri pritjen e mysafirëve, prej anëtarëve më të vjetër e të rinj të familjes Jashari, udhëheqësve më të lartë shtetit tek, e deri te përfaqësuesit diplomatikë.

Forca kujdeset për sigurinë edhe nga lart.

E kur komandantja supreme mbërriti, asaj i raportoi gjenerali i Brigadës Ilir Qeriqi.

Bashkë me komandantin e përgjithshëm Bashkim Jashari, presidentja Osmani parakaloi para ushtarëve të FSK-së.

Homazhe u bënë edhe pranë obeliskut të ushtrisë.

Gjatë ceremonisë, ushtarët iu bashkuan këngës.

Nga kjo ngjarje, presidentja Osmani përmendi sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe dha mesazh se realiteti i krijuar me t’u bërë Kosova shtet, është i pakthyeshëm.

“Mungesa e drejtësisë dhe mosndëshkimi i kriminelëve serb të luftës ka trimëruar trashëgimtarët e tyre, siç ishte rasti me agresionin e Serbisë kundër Kosovës më 24 shtator. Por, në këtë ditë të lavdishme, ua rikujtojmë se Republika e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, është shtet i konsoliduar me sovranitet shtetëror dhe integritet territorial të qartë dhe të njohur ndërkombëtarisht”, tha Osmani.

E kryeministri Albin Kurti, tha se Kosova është shtet që me ushtrinë e saj e mbron praktikën e drejtësisë dhe lirisë.

“Epoka dhe vetëdija botërore po ndryshojnë. Po kuptohet gjithandej në kancelaritë e fuqishme se ledhatimi i padrejtësisë nuk e sjellë kurrë paqen, por të kundërtën e saj. Korruptimin e shoqërive dhe luftën mes popujve. Paqja dhe padrejtësia nuk mund të bashkëjetojnë”, tha Kurti.

Para të pranishmëve, fjalë rasti mbajti edhe djali i komandantit Adem Jashari, Lulzim Jashari, i cili e quajti të pastër luftën e UÇK-së.

“Armët tuaja janë vazhdimësi e armëve më të pastra në Ballkan dhe më gjerë. Armët e paraardhësve nuk i ndotën kurrë me gjakun e civilëve, ato shënjestruan vetëm uniformën e pushtueseve. Arma e shqiptarit si arma më e pastër në Ballkan, shkrepi vetëm në emër të mbrojtës së shtetit dhe kombit. Pra vetëm në emër të lirisë", tha Jashari.

“Epopeja e UÇK-së” shënohet më 5, 6 dhe 7 mars, data në të cilat më 1998 ranë heroikisht komandanti Adem Jashari me familjen e tij.