LAJMET E MBRËMJES

Tjetër dështim i deputetëve, i 33-ti me radhë

Në Lëvizjen Vetëvendosje insistojnë në ndryshimin e formës së votimit, pavarësisht se nuk i kanë votat për këtë. Për formim të komisionit për votim të fshehtë, për votuan 51 deputetë, kundër ishte një e abstenime nuk pati, ndonëse në sallë ishin prezentë 91 ligjvënës. Partitë deri tash në opozitë nuk e përkrahin këtë procedurë votimi, ndonëse deri tash nuk kanë dhënë votë kundër

120 deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar edhe një herë të konstituojnë legjislaturën e nëntë.

Dështimi i së martës ishte i 33-ti me radhë, prej kur ka nisur seanca konstituive më 15 prill.

Në Lëvizjen Vetëvendosje insistojnë në ndryshimin e formës së votimit, pavarësisht se nuk i kanë votat për këtë. Për formim të komisionit për votim të fshehtë, për votuan 51 deputetë, kundër ishte një e abstenime nuk pati, ndonëse në sallë ishin prezentë 91 ligjvënës.

Partitë deri tash në opozitë nuk e përkrahin këtë procedurë votimi, ndonëse deri tash nuk kanë dhënë votë kundër.

E sikur edhe herëve të tjera, pas dështimit, partia deri tash në pushtet - LVV e ato deri tash në opozitë, fajtore e kanë bërë njëra-tjetrën.

“Forcat politike maten me besimin që ua ka përcjellë sovrani. Atë besim që e kanë në numër mund ta përdorin për të rrëzuar një propozim i cili është prezantuar por jo për të mos u deklaruar fare për atë propozim. Nëse kjo situatë vazhdon në një formë amullie të paqartë, atëherë po tregon që mospjesëmarrja në votim e tyre nuk përkon me përgjegjësinë të cilën e kanë marrë. Ne po votojmë, po përsëris për të 33-n herë”, ka thënë deputetja nga radhët e VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kritika kanë dhënë edhe nga opozita e deritashme.

“Është momenti i fundit që Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Kurti të reflektojë. Bota po ndryshon çdo ditë drastikisht dhe dramatikisht. Kosova nuk guxon të sillet me kësi lloj indiference dhe papërgjegjësie. I bëjmë apel z.Kurti që të reflektojë. Kosova është më e madhe sesa egoja e tij personale”, ka thënë Vlora Çitaku, deputete nga radhët e PDK-së.

Qe dy muaj prej kur është hapur seanca konstituive, deputetët nuk kanë arritur ta përmbyllin rendin e saj të ditës me 4 pika gjithsej. Ajo për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve dhe betimin e ligjvënësve të rinj është kryer. 

E zgjedhja e kryekuvendarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit po e pret epilogun.

Vazhdimi i radhës i seancës konstituive do të bëhet të enjten në orën 10:00.