LAJMET E MBRËMJES

Telekomi kërkon përgjegjësi se kush i shkaktoi dëmet me nënshkrimin e kontratave të dëmshme

Pas lirimit nga akuzat e ish-kryeshefit të Telekomit, Shyqyri Haxha, kjo ndërmarrje, nëpërmjet një reagimi, ka kërkuar sqarim se kush bart përgjegjësitë për dëmet që janë shkaktuar nga kontratat e dëmshme. Në Telekom thonë se dëmet janë mbi 100 milionë euro. E njohësi i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, thekson se për dëmet në Telekom duhet kërkuar përgjegjësi nga të gjithë ata që ishin në krye të kësaj ndërmarrjeje që nga viti 2007

Telekomi i Kosovës kërkoi të martën sqarime se kush i bart përgjegjësitë për dëmet e shkaktuara me rastin e nënshkrimit të kontratës me “Amdocs Development Limited”, pasi që ish-kryeshefi i ndërmarrjes, Shyqyri Haxha, është liruar nga akuza.

Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi të premten që ta lirojë Haxhën nga kjo akuzë, me pretendimin se nënshkrimi i kontratës ishte i natyrës vetëm ceremoniale.

Por, në Telekom nuk e konsideruan si të tillë, teksa nëpërmjet një reagimi përmendën edhe dëmet të tjera të shkaktuara nga nënshkrimet e tilla, për të cilat Haxha nuk e pranoi përgjegjësinë.

“Fatkeqësisht ky nuk është i vetmi nënshkrim “ceremonial” për të cilin z. Haxha nuk pranon përgjegjësi, edhe pse nga një kontratë tjetër e tillë, Telekomi i Kosovës është dëmtuar në vlerën prej mbi 100 milionë eurosb. Edhe për këtë kontratë (me Z-Mobile), e cila për pak e fundosi Telekomin e Kosovës, deri më sot drejtësia kosovare jo vetëm që nuk arriti të nxirrte përfundime, por as të hetojë seriozisht, edhe pse Telekomi i Kosovës tashmë i ka dorëzuar paditë/kallëzimet penale në institucionet përkatëse të drejtësisë”, thuhet në reagimin e Telekomit.

Udhëzimet e Gjykatës për inicimin e kontestit civil, sipas Telekomit, e turpërojnë gjyqësinë kosovare dhe e amnistojnë krimin ndërsa bëhet fjalë për një nga aferat më të mëdha të keqpërdorimit të parasë publike.

Haxha akuzohej për lidhjen e kontratës me “Amdocs“, e cila ishte shkëputur pak kohë pas lidhjes në mënyra të njëanshme, që u pasua edhe me një vendim të Arbitrazhit që i shkaktoi Telekomit një dëm prej 10 milionë eurosh.

Kontrata ishte ndërprerë pas kërkesës së Qeverisë, si aksionare, e cila pati kërkuar që të ndalen investimet në PTK, duke e përgatitur ndërmarrjen për privatizim.

Por, sipas Ismet Hamitit, ekspert i telekomunikacionit, që nga viti 2007, të gjithë ata që ishin në bordet e PTK-së kanë bërë krim me veprimet dhe mosveprimet e tyre.

Ai e përmend edhe kontratën me Z-Mobile, që ishte nënshkruar nga Haxha e që, sipas tij, ishte më e dëmshmja.

“Përmes kontratës së PTK-së me Z-Mobile është krijuar një mekanizëm “legal” për plaçkitjen e pasurisë publike me përmasa të mëdha, ideatorë të të cilit janë individë në nivelet më të larta të pushtetit e zbatues janë veglat e tyre në PTK dhe në institucionet e shtetit. Nuk ka asnjë dyshim se të gjithë ata janë vegla të individëve në nivelet më të larta të pushtetit, që janë kupola e këtij grupi kriminal”, ka vlerësuar Hamiti.

Institucionet e drejtësisë deri më tash, kanë ngritur aktakuza për disa ish-zyrtarë të Telekomit, porse ndaj asnjërit prej tyre nuk ka pasur dënim.