I është hequr masa e paraburgimit të akuzuarit për plagosjen e dy serbëve në Gotovushë të Shtërpcës dhe është zëvendësuar me arrest shtëpiak. Paraprakisht atij i është rikualifikuar edhe vepra penale – nga “vrasje e rëndë në tentativë”, në “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar KOHA, serbët morën lëndime të lehta trupore nga predha e një plumbi që fillimisht goditi asfaltin
Të akuzuarit për plagosjen e dy serbëve në Gotovushë të Shtërpcës, Azem Kurtaj, i është zëvendësuar me arrest shtëpiak masa e paraburgimit.
Gjykata Themelore në Ferizaj e mori vendimin të enjten, gjatë vazhdimit të seancës fillestare kundër ushtarit të FSK-së, i cili dyshohet se më 6 janar nga automjeti ka plagosur dy të rinjtë, të cilët ndodheshin në një turmë që kishte zënë rrugën.
Në këtë seancë që nuk u është lejuar mediave të xhirojnë shkaku i prezencës së njërit prej të dëmtuarve që është i mitur, Kurtajt iu lexua aktakuza, në të cilën është rikualifikuar vepra – nga “vrasje e rëndë në tentativë”, në “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Avokatë të Kurtajt thanë se klienti i tyre shtiu në vetëmbrojtje dhe jo në drejtim të të rinjve serbë.
“Pas zhvillimeve dhe përfundimit të hetimeve ka arritur në konkluzion që vepra për të cilën është dyshuar i mbrojturi nga ana jonë në fillim, ato nuk qëndrojnë sepse nuk ekzistojnë elementet e asaj vepre penale që është cilësuar si vrasje e rëndë në tentativë”, ka thënë avokati Naim Ferati.
Në aktakuzën të cilën e ka siguruar KOHA, tregohet se Kurtaj nuk ka shtënë në drejtim të të rinjve që ia kishin zënë rrugën.
“Fillimisht i bie borisë me qëllim që t’ia lirojnë rrugën, e më pas përmes dritares së automjetit të tij shtien në ajër me revole, si dhe në drejtim të ulët në tokë, me ç’rast predha godet asfaltin dhe një pjesë e predhës godet të dëmtuarin S.S. në pjesën e sipërme të krahut, ndërsa pjesa tjetër e predhës godet të dëmtuarin tjetër M.S. në shpinën e shuplakës së dorës së majtë, të cilët si pasojë e goditjeve pësojnë lëndime trupore e të cilat lëndime, bazuar në mendimin dhe konstatimin e ekspertit mjeko-ligjor të datës 24.01.2023, bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore dhe me pasoja të përkohshme për shëndetin”, theksohet në aktakuzë. “Me këtë rast Kurtaj ka kryer veprën penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, nga neni 356 paragrafi 1 i KPRK-së”.
Kujtim Kerveshi, një nga avokatët e Kurtajt, tha se klienti i tij është deklaruar i pafajshëm pas leximit të aktakuzës. Ai ka paralajmëruar veprime ligjore ndaj atyre që rastin e kanë kualifikuar si sulm me motive etnike.
“Ata që e paragjykojnë Azemin, e stigmatizojnë atë, dhe/ose i japin kontekst etnik rastit në fjalë, i japin epitetet të cilat nuk i ka dhënë gjykata me vendim të formës së prerë, do të përballen me drejtësinë”, ka thënë avokati Kerveshi. “Mbrojtja e Azemit megjithëse nuk pajtohet me gjetjet e Prokurorisë si në aktakuzë, as me vendimin e Gjykatës për masën e zëvendësuar, respekton ato dhe përballjen do ta kërkojë vetëm pranë institucioneve dhe rrugëve ligjore, duke besuar në drejtësi dhe sundim të ligjit”.
Autoritetet e Serbisë, por edhe përfaqësues të serbëve të Kosovës, ngjarjen e kualifikuan si sulm etnik. Pas tij u organizuan edhe protesta në Shtërpcë.