Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë njoftuar se ky proces do të zgjasë 38 ditë. Anëtarë të komisionit, si sfidë kryesore të procesit e kanë cilësuar mungesën e përgjigjes nga Qeveria për buxhet shtesë
Nga 23 korriku, qytetarët jashtë Kosovës do ta kenë mundësinë që të regjistrohen për procesin e votimit me postë për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se afati për regjistrim do të jetë i hapur për 38 ditë, përkatësisht deri më 29 gusht.
Mirëpo, anëtarë të këtij Komisioni kanë thënë se e shohim si sfidues këtë proces, e që shkak kryesor mbetet mungesa e përgjigjes për aprovimin e buxhetit shtesë nga ana e Qeverisë.
“Sfidë vazhdon të mbetet siguria se votuesit jashtë vendit regjistrohen individualisht, verifikimi i aplikacioneve, meqë ka raste kur votuesit regjistrohen me numra të telefonit fiktiv apo me e-mail adresa jopersonale. Lidhur me votimin ne kemi kërkuar buxhet shtesë për t’ia dërguar personalisht zarfin me fletëvotim secilit votues, ashtu siç e ka bërë edhe Shqipëria, mirëpo deri më tani nuk kemi aprovim të buxhetit nga ana e Qeverisë, prandaj ky proces do të sfidohet me mungesë të fondeve, për ta realizuar çdo detaj ashtu siç është planifikuar në rregulloren e re, të miratuar pas problemeve të zgjedhjeve parlamentare”, ka thënë Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga PDK-ja.
KQZ-ja ka planifikuar që organizimi i zgjedhjeve lokale të kushtojë rreth 16 milionë euro, prej të cilave 9.6 milionë i ka në dispozicion nga buxheti i ndarë për këtë vit.
Qeveria ende nuk ka dhënë një përgjigje nëse do ta aprovojë buxhetin shtesë prej 6.5 milionë eurosh.
E zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, të dielën, i ka shpjeguar format e votimit jashtë vendit. Sipas tij, votimi nëpër ambasada e konsullata nuk do të jetë i mundur.
“Gjatë periudhës 38-ditore të paraparë për regjistrim, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Çdo aplikim për regjistrim duhet të jetë individual dhe mund të bëhet në njërën nga dy mënyrat: përmes platformës elektronike të KQZ-së ose përmes postës, duke e dërguar aplikacionin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Duke filluar nga data 23 korrik, në përmbushje të detyrimit ligjor, KQZ-ja do ta aktivizojë platformën elektronike, përmes së cilës votuesit jashtë Kosovës mund të regjistrohen për votim”, ka deklaruar Elezi.
Bazuar në afatet e përcaktuara nga KQZ-ja, votimi jashtë Kosovës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor.