LAJMET E MBRËMJES

Të akuzuarit thonë se kryen punë të zakonshme kur bartën dhe ndanë pakot me drogë në vlerë 20 mln €

Dy prej të akuzuarve për drogën në vlerë 20 milionë euro, që u konfiskua më 2021, thanë në gjykatë se bënë punë të zakonshme edhe kur e bartën atë nga porti i Durrësit e deri në Lipjan, e edhe kur në depon e kompanisë seleksionuan pakot me kokainë nga ato me mish. Gjyqtari sfidoi me pyetje njërin prej të akuzuarve

Shoferi Fehmi Bytyqi dhe kryepunëtori i depos së “MC Foods”, Kadri Brahimi, kanë thënë në gjykatë të enjten se kryen punët e zakonshme ditën kur në kompani zbarkoi policia dhe konfiskoi 400 kilogramë kokainë, të fshehur në pakot e mishit që u transportuan nga Brazili.

I akuzuari Bytyqi ishte shoferi i kamionit që prej portit të Durrësit e solli në kompani mishin e pulës, ku ishte e kamufluar edhe kokaina.

Sipas Prokurorisë Speciale, video të mallit brenda kontejnerit që u ngarkua në port, Bytyqi i çoi tek Izet Sheqiri, i cili është pronar i “MC Foods” dhe akuzohet si udhëheqës i grupit kriminal.

Ai tha se ishte procedurë standarde që të bënte video nga terminali doganor dhe t’ia dërgonte pronarit.

Por, ai u sfidua nga një pyetje e kryetarit të trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni.

“Meqenëse ju keni shkuar pesë herë brenda muajit maj për t’u marrë me këto procedura dhe meqenëse ka qenë procedurë e rregullt të bëni fotografi apo videoincizime, a i keni pasur ato në telefonin tuaj edhe fotografitë apo incizimet e herëve të tjera”, pyeti gjyqtari Arrni.

“Nuk më kujtohet, mund të ndodhë edhe që i kam pasur, por nuk e di”, u përgjigj Bytyqi.

E i akuzuari tjetër Kadri Brahimi, që ishte kryepunëtor i depos, tha se nganjëherë edhe shkarkonte mall me pirunar, siç bëri edhe me pakot me mish ku ishte fshehur droga.

Sipas prokurorisë, ai veçoi pakot ku ndodhej kokaina, nga të tjerat. Por, i akuzuari tha se mallin e ndante në bazë të barkodeve.

“E kërkon procedura, meqë ishin dy barkode të ndryshme, sa e mbaj mend ishte 82-shi dhe 101-shi”, tha Brahimi.

I akuzuari Brahimi tha se pronari Izet Sheqiri nuk ka hyrë në depo para ardhjes së policisë më 17 maj 2021.

Ai u ankua se gjatë arrestimit, policia e ka rrahur teksa ishte me duar lidhur dhe se kjo duket edhe në pamjet e kamerave që janë shfaqur më herët në gjykatore.

E, deklarimin që e nisi në seancën e kaluar, e ka ndërprerë i akuzuari Kadri Sheqiri, që për një kohë ka qenë dëshmitar bashkëpunues i prokurorisë. Ai e arsyetoi këtë, duke thënë se ndihej i shqetësuar. Për shkak që planifikuan dhe e nxitën Sheqirin ta ndryshonte deklaratën, janë dënuar më parë Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Për drogën në vlerë rreth 20 milionë euro, që u kap katër vjet më parë në Lipjan, akuzohen Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi.

Në bazë të aktakuzës, drejt kompanisë “MC Foods” janë nisur edhe dy dërgesa të tjera me kokainë, por nuk kanë arritur në Lipjan. Krahas 400-kilogramëshit, në bazë të aktit akuzues, drejt Kosovës nga Brazili ishin nisur edhe një dërgesë prej 109 kilogramësh kokainë, si dhe një tjetër prej 218 kilogramësh kokainë.

Prokuroria pretendon se dërgesa e parë u konfiskua nga autoritetet e Spanjës më 7 mars 2021 në portin e Valencias, kurse e dyta më 21 mars 2021 në portin e Barcelonës. Bashkëpunim në këtë rast ka ofruar edhe Spanja, shtet ky që nuk e njeh Kosovën si të pavarur.

Si kontakte për drogën e Brazilit në aktakuzë përmenden përfaqësues të kompanisë “Seara”, Bahtiour Sadikovich Isakov dhe Eduardo Almeida.

Sasia e narkotikëve me vlerë rreth 20 milionë euro u kap në Lipjan më 2021, ndërsa u ngarkua në Brazil në pako mishi që u destinua për në Kosovë. Ajo u sinjalizua nga DEA amerikane, e cila informoi autoritetet e Italisë, meqë ngarkesa që u mbikëqyr u transportua në rrugë detare.