LAJMET E MBRËMJES

Të akuzuarit për krime lufte, Çasllav Joliq, i ulet dënimi në rigjykim

Me 5 vjet e 6 muaj është dënuar për krime lufte, Çasllav Joliq. Shkalla e dënimit është më e ulët për 2 vjet e gjysmë se sa në aktgjykimin e vitit të shkuar, pasi që në rigjykim Joliqi është liruar nga dy pika të aktakuzës të cilat lidhen me krimet e kryera në komunën e Istogut

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar në rigjykim Çasllav Joliqin me 5 vjet e 6 muaj burgim për krime lufte të kryera gjatë periudhës së viteve 1998-1999 në Komunën e Istogut.

Krahasuar me aktgjykimin e parë, shkalla e dënimit është për dy vjet e gjysmë burgim më pak.

“Kjo gjykatë e gjen fajtor për pikën A, të përshkrimit faktik të aktakuzës, respektivisht për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’, nga neni 142, lidhur me nenin 22, sipas ligjit. Të njëjtin e gjykon për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’, të njëjtin e gjykon me dënim me kohëzgjatje prej 5 vite e 6 muaj burgim, ku koha e kaluar në masën e paraburgimit, i llogaritet në dënimin e shqiptuar”, ka thënë Ngadhnjim Arrni, kryetar i trupit gjykues.

Gjatë shpalljes së vendimit, në sallën e gjykimit nuk ka qenë i pranishëm i akuzuari Joliq, as avokati i tij, por as prokurori special, Ilir Morina.

Në procesin e ri gjyqësor, Joliqi është liruar nga dy pika të aktakuzës të cilat ndërlidhen me krime lufte.

“Lidhur me pikat B dhe C të përshkrimit faktik, kjo gjykatë ka gjetur se nuk është vërtetuar se i akuzuari Çasllav Joliq ka kryer këto veprime. Gjykata me aktvendim të posaçëm të akuzuarit Çasllav Joliq, i vazhdon masën e paraburgimit derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë”, ka bërë të ditur Arrni.

Joliqi është dënuar me tetë vjet burgim, nëpërmjet aktgjykimit të shpallur më 10 qershor të vitit 2024, por Apeli e ka kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore prej janarit të 1998-s e deri më 21 qershor të 1999-tës, në territorin e Komunës së Istogut, në bashkëkryerje me persona të tjerë, Joliqi ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha kundër popullatës civile.