Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të premten është dhënë fjala përfundimtare në procesin gjyqësor për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, të kryer më 6 dhjetor të 2022-tës. Të akuzuarit për këtë rast kanë kërkuar nga Gjykata lirim, pasi kanë theksuar se janë duke u akuzuar pa prova
Avokatë të tre prej të akuzuarve për sulmin terrorist të fillimdhjetorit të 2022-tës në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicë të Veriut e kanë kërkuar të enjten lirimin e klientëve të tyre nga akuza.
Në këtë proces gjyqësor, për të cilin të premten është mbajtur seanca e fundit gjyqësore para shpalljes së aktgjykimit, të akuzuar janë Millun Millenkoviq, i njohur si Llune, Dejan Pantiq, Miomir Vakiq dhe Aleksandër Vllajiq.
Këta e edhe avokatët e tyre kanë akuzuar Prokurorinë për aktakuzë të pabazuar në prova.
“Nga fillimi i procedurës, unë e flas vetëm të vërtetën dhe nuk kam asgjë për të fshehur. Nuk i kam kryer këto vepra penale, me të cilat ngarkohem. Nuk jam përfshirë, nuk kam qenë në këto sulme, të cilat kanë ndodhur në këtë datë. Nuk kërkoj asnjë privilegj, kërkoj drejtësi”, ka thënë i akuzuari Vllajiq, në fjalën e tij përfundimtare para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Pjesëmarrjen në sulmin e 2022-s e ka hedhur poshtë edhe i akuzuari tjetër, Dejan Pantiq.
“Unë askënd nuk e kam lënduar, askënd nuk e kam sulmuar, me askënd nuk jam organizuar, por as nuk kam bashkuar për të bashkëvepruar për ndonjë bashkëveprim”, është shprehur ai.
Lidhshmëri me veprën penale për të cilën ngarkohet, e ka mohuar edhe Miomir Vakiq.
“Sa kam lidhshmëri në këtë vepër penale, aq kanë edhe palët prezentë këtu në gjykatë”, ka thënë ai.
Në një linjë me të akuzuarit kanë folur edhe avokatët e tyre.
Millosh Deleviq, avokat i të akuzuarit Vllajiq, ka theksuar se provat janë të pamjaftueshme për akuzat që i vihen në barë klientit i tij.
“Gjatë karrierës time, nuk ka pasur kësi hetime kaq të pamjaftueshëm e më pas edhe ngritja e aktakuzës është bërë pa pasur hetim”, ka thënë ai.
E avokati Lubomir Pantoviq, i cili e përfaqëson të akuzuarin Pantiq, e ka kritikuar Prokurorinë për “ngritje të aktakuzës pa prova të mjaftueshme”.
“Edhe Prokuroria, jo vetëm Gjykata, është e obliguar që t’i vërtetojë të vërtetat materiale dhe kjo në praktikë do të thoshte që nuk ngrihet aktakuzë, kur nuk kemi prova të mjaftueshme dhe mund të tërhiqemi nga ndjekja penale”, ka thënë ai.
Në seancën gjyqësore të 2 korrikut, prokurorja speciale, Fikrije Fejzullahu, ka thënë gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare se provat materiale dhe dëshmitë e paraqitura kanë vërtetuar fajësinë e të akuzuarve. Ajo e pati theksuar po ashtu se rëndësinë e dënimit meritor për të akuzuarit me qëllim të parandalimit të sulmeve të ngjashme në të ardhmen.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast është caktuar që të bëhet më 28 korrik. Të akuzuarit Millun Millenkoviq dhe Aleksandër Vllajiq, kanë kërkuar nga trupi gjykues që të mos jenë prezentë në shpallje të aktgjykimit, me arsyetimin e temperaturave të larta që mbizotërojnë brenda sallave në Pallatin e Drejtësisë.
Bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, më 6 dhjetor të 2022-tës është kryer sulm terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe një autoambulancë është përdorur për bartjen e granatave të dorës. Sipas aktakuzës, granatat i ka marrë i akuzuari Milun Milenkoviq, i cili gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare të tij në seancën paraprake gjyqësore i ka mohuar akuzat.
Ndërkaq, Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq janë të akuzuar se kanë hedhur granata dore dhe shok bomba me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve në veriun e banuar kryesisht me serbë.