LAJMET E MBRËMJES

Suspendimi i drejtorit të Policisë në veri ngjall reagime e kërcënime nga serbët

Largim nga institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar serbët. Një veprim i tillë bëhet pas suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili tha se policët nuk do të zbatojnë vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale. Suspendimi i Gjuriqit ka ngjallur reagime të shumta.

Refuzimi i zbatimit të vendimit të ri për targat ilegale e rreshtimi publik krah Listës Serbe i ka kushtuar me suspendim nga puna drejtorit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, Nenad Gjuriq.

Vendimi është marrë një ditë pasi në konferencën për media krah përfaqësuesve politikë serbë, Gjuriq deklaroi se vendimi për qortimin e serbëve për targat ilegale është politik dhe kundër komunitetit që i takon.

Veprimi i drejtorit Nenad Gjuriq është dënuar nga krerët e institucioneve në vend.

Kryeministri Albin Kurti nga Berlini ka thënë se më këtë çështje do të merret Ministria e Punëve të Brendshme, e ministri Xhelal Sveçla ka thënë se refuzimi nga zyrtarët policorë është cenim i sigurisë e stabilitetit.

“Është një gjë kur dështon zbatimi i vendimit, e një gjë tjetër kur dikush bën thirrje të mos zbatohet vendimi. Përveç që tregon se nuk do ta zbatojë ai as vetë. U përket organeve të sigurisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës që të merren me thirrjet që qartazi janë në mospërputhje me rendin e ligjin në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Pas suspendimit të drejtorit, kryetari i Listës Serbe, njëherësh ministër në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, ka paralajmëruar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Rakiq ka paralajmëruar për të shtunën një takim me përfaqësuesit e tjerë të serbëve lidhur me këtë çështje.

“Dua të njoftoj se kam thirrur për të shtunën një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në veri të Kosovës, ku do të propozoj që të gjithë serbët të largohen nga institucionet në veri, duke nisur nga unë personalisht dhe nga qeveritë lokale, prokuroria, gjykata, policia dhe të gjitha autoritetet e tjera”, është shprehur Rakiq.

Kurse, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se suspendimi i drejtorit çon drejt fundit të Marrëveshjes së Brukselit.

Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, vlerëson se Gjuriqi është dashur të suspendohej menjëherë pas deklarimit. Qalaj ka treguar se si duhet vepruar tash e tutje.

“Policia e Kosovës i ka edhe nja 8 mijë të tjerë dhe unë e di që edhe unë sa kam qenë drejtor, por ka edhe plane operative të tjera, alternativa të tjera, dërgohen policë nëpër stacione policore nëse ata refuzojnë të punojnë dhe prapë tentohet që puna të zbatohet normalisht”, ka thënë Qalaj.

Shpat Balaj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se qasja e shpërfaqur nga drejtori i Policisë në veri është problematike sa i përket sigurisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut.

“Qasja e përfaqësuesve të Policisë së Kosovës në Mitrovicë e Veriut nuk është në dobi, nuk shkon në përmirësimin e jetës së qytetarëve serbë të Kosovë në atë zonë, por është e ndikuar politikisht edhe ka marrë konotacione politike fatkeqësisht dhe janë bërë pjesë e një procesi që normalisht institucionet e pavarura, siç është Policia e Kosovës, nuk do të ishte dashur të bëhen pjesë e këtij narracioni politik”, ka thënë Balaj.

Vendimi i ri për targat i Qeverisë së Kosovës ka hyrë në fuqi më 1 nëntor.

Sipas tij, të gjithë vozitësve të mjeteve me targa ilegale do t’u shqiptohet një fletëqortim, e pas një kohë dënim, si një nga masat sanksionuese ndaj tyre, deri në prill të vitit të ardhshëm, kur do të ndalohet në tërësi qarkullimi i tyre.