LAJMET E MBRËMJES

Sulmet ndaj policisë në veri kryeministri Kurti i cilëson si terroriste

Kanë vazhduar në distancë akuzat e ndërsjella mes zyrtarëve të Kosovës e Serbisë pas pretendimeve për krijim tensionesh.

Kryeministri Kurti ka vijuar ta kualifikojë si terrorist sulmin ndaj pjesëtarëve të policisë në veriun e populluar me shumicë serbe.

Megjithatë, shefi i Ekzekutivit ka shtuar se janë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës që duhen bërë analizën e shkaqeve dhe rrethanave të këtyre sulmeve.

“Ne kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist. Meqenëse me plumba, me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë, të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale. Pra, u takon organeve të rendit të bëjnë hetimet mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin, por, në anën tjetër, edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë se çka duhet të ndërmarrim në vijim në mënyrë që të pamundësojmë sulmet e këtilla. Pra, nuk janë sulme mbi të mirat materiale, nuk janë sulme as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët dhe sulmet të cilat kanë pasur për qëllim të vrasin. Mirëpo, fatmirësisht nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe asnjë pjesëtar i Policisë nuk është lënduar”, tha Kurti.

Ndërkaq kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se sulmet serbe mbi policinë janë interes i Putinit për ta shpërndarë luftën.

“Provokimet janë të qarta, këto sulme janë të patolerueshme. Ato po vijnë prej strukturave të cilat drejtpërdrejt janë të lidhura me Serbinë. Kjo për arsye se Serbia gjithmonë ka interes për destabilizimin e Kosovës dhe po shërben sikur platformë e Rusisë për ta shpërndarë edhe në pjesët e tjera të Evropës luftën të cilën e ka nisur përmes invazionit mbi Ukrainën më tepër se një muaj më parë. Pra këto sulme që po ndodhin mbi Policinë e Kosovës edhe po tregojnë se sa Serbia është e varur nga Rusia”, tha Konjufca.

Pavarësisht tensioneve, Brukseli do të bëjë përpjekje që gjatë javës t’i ulë palët në tryezën e negociatave. Temë diskutimi do të jetë çështja e targave.

“Më datën 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merreshin vesh për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty. Ndërkaq për aspektet teknike e kemi grupin tonë teknik i cili merr pjesë atje, si dhe kryenegociatorin, i cili po bisedon se si ta gjejmë një zgjidhje. Ajo që e di që është e padiskutueshme dhe e panegociueshme është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme”, tha Kurti.

Ai ka sugjeruar që të mos merren si fakte deklaratat që vijnë prej Beogradit, duke iu referuar atyre lidhur me ardhjen e një aeroplani i Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe në Prishtinë.

Presidenti serb ka kritikuar Britaninë e Madhe, SHBA-në e Turqinë se po armatosin Kosovën. Sipas tij, e vetmja forcë e armatosur në Kosovë duhet të jetë KFOR-i.

Me tone akuzuese ka folur edhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka thënë se përmendja e reciprocitetit nga Kurti është një kërcënim i paralajmëruar për serbët në veri.