Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vendosur për vazhdim të paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt. Ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë, e Thaçi edhe për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Në vendimet e gjykatës, si arsye kryesore për vazhdim të paraburgimit përmendet mundësia e arratisjes
Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt u është vazhduar masa e paraburgimit nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ata akuzohen për veprën penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë katër vendimet e publikuara të hënën, nga gjyqtarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Marjorie Masselot, janë dhënë edhe arsyet, e kryesorja është mundësia e arratisjes nëse lihen të lirë.
“Në lidhje me rrezikun e arratisjes sipas nenit 41 të Ligjit, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstaton se të gjitha arsyetimet e përmendura në Vendimin e Dytë të Rishikimit mbeten të vlefshme. Këtu përfshihen: rëndësia e veprave penale, për të cilat z. Thaçi akuzohet dhe dënimi i mundshëm në rast fajësie; qëllimet jo të mira të z. Thaçi ndaj ligjeve dhe rregullave të Dhomave të Specializuara; mjetet dhe mundësitë që ai i ka për t’u arratisur, pavarësisht se është në paraburgim për rastin 06. Gjykatësi, gjithashtu, shton se z. Thaçi po fiton njohuri gjithnjë e më të mëdha për provat ndaj tij, përmes procesit të vazhdueshëm të zbulimit të materialeve dhe duke i udhëzuar të tjerët, por dhe duke u treguar atyre se si të ndikojnë në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve”, thuhet në vendimin për Thaçin.
Edhe në tri vendimet e tjera përmendet rreziku i arratisjes, e po ashtu, edhe mundësia e pengimit të procesit.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, sipas vendimeve, nuk është bindur me garancinë prej 30 mijë eurosh, që është thënë se do të paguhet nga familjarë të Smakajt, e as me 40 mijë eurot, pastaj raportimet e shpeshta në Polici dhe kufizimet në komunikim e lëvizje të ofruara si garanci për lirimin me kusht të Isni Kilajt.
Ndaj Thaçit ky është gjykimi i dytë në Hagë. Ai po gjykohet edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ndaj Smakajt, ish-këshilltar i Thaçit, Kilajt, ish-kryetar i Malishevës dhe Fazliut, veteran i luftës së UÇK-së, është ngritur aktakuzë për pengim të administrimit të drejtësisë së Speciales, lidhur me rastin e madh, ku pos Thaçit, të akuzuar janë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.