Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim Sllavisha Filiqin, i cili është i akuzuar në gjykimin në mungesë, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”. Sipas trupit gjykues, ai bashkë me dy zyrtarë të tjerë e kanë maltretuar mjekun Hafir Shala, i cili është i zhdukur që nga lufta
Sllavisha Filiq është shpallur fajtor të enjten për krime lufte dhe është dënuar me 15 vjet burgim.
Në procesin gjyqësor në mungesë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka bërë atë përgjegjës për maltretimin e doktorit Hafir Shala, i cili pas arrestimit, gjatë luftës, është zhdukur.
Filiq ka qenë pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, ka thënë se disa dëshmitarë e kanë parë atë dhe dy persona të tjerë ende të paidentifikuar, tek e maltretojnë doktorin nga Drenasi, i cili ka ndihmuar civilë dhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare (UÇK).
“Që nga momenti i ndalimit nga pjesëtarët e policisë serbe, pra pjesëtarët e sigurimit shtetëror të Serbisë, e kanë përshkruar se si e kanë marrë doktor Hafir Shalën, ku e kanë dërguar atë dhe se dëshmitari Shaban Neziri, gjatë dëshmisë së tij, është shprehur i sigurt se britmat që i kanë dëgjuar në objektin e ish-Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Prishtinë, ishin të doktor Hafir Shalës, i cili u është nënshtruar rrahjeve dhe torturave. Këta dëshmitarë në detaje e kanë përshkruar pamjen e të pandehurit Sllavisha Filiq”, ka thënë gjyqtarja Namani-Hajra.
Gjykimi është zhvilluar në mungesë, pasi që Filiqi ndodhet në Serbi dhe nuk u është bindur thirrjeve për t’u përballur me procesin gjyqësor.
Dënimin e tij e kanë mirëpritur familjarët e doktorit të zhdukur me forcë.
“Shpallja e këtij aktvendimi sot nuk është fundi i këtij procesi, për shkak se është vetëm fillimi drejt një procesi që na pret në të ardhmen. Siç dihet, Sllavisha Filiq, krimineli i dënuar, nuk ka qenë i vetëm kur është arrestuar babai. Me të kanë qenë edhe dy persona të tjerë. Por fakti është që babi nuk është arrestuar në një kontroll rutinore. Ka ekzistuar një urdhërarrest, e baza ka qenë Beogradi”, ka theksuar Gentrit Shala, djali i Hafir Shalës.
Vendimin e ka mirëpritur edhe Prokuroria Speciale, e cila në shtator të 2023-tës ka ngritur aktakuzë për gjykim në mungesë kundër Filiqit.
“Ky vendim e përbën një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat dhe familjarët e tyre, dhe konfirmon se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht kohës që ka kaluar apo vendndodhjes aktuale të të pandehurit”, kanë thënë në Prokurorinë Speciale.
Emrin e mjekut, që në luftë e ka ndihmuar popullatën civile dhe ushtarët e UÇK-së, e mban Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Drenas.
Më 2016, ish-presidenti Hashim Thaçi e pati nxjerrë dekretin me të cilin Shala është shpallur “Hero i Kosovës”.