Në Komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut janë dëgjuar kërkesat e sindikalistëve të Policisë. Mbledhja nuk u mbajt, meqë deputetët e shumicës parlamentare pamundësuan kuorumin nëpërmjet mospjesëmarrjes, por ligjvënësit opozitarë vendosën që t’i dëgjojnë sindikalistët. Ata u kritikuan nga përfaqësues të sindikatës, të cilët thanë se po u politizohen kërkesat dhe se njëjtë si Vetëvendosja tash, as partitë që tash janë në opozitë nuk kanë bërë gjë për Policinë
Sindikalistët e Policisë së Kosovës kanë bërë thirrje që partitë politike të mos i politizojnë kërkesat e tyre. E theksuan këtë në Komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut, në të cilin folën, ndonëse ligjvënësit e pushtetit nuk morën pjesë në të, duke e pamundësuar kuorumin për mbledhje.
Megjithëkëtë, në mungesë deputetësh, mbledhja e dështuar është kthyer në dëgjim publik.
Kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri, ka thënë se kërkesat e njëjta të policisë përsëriten prej vitesh.
“Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare. Një ligj që diku ndoshta i ka dhjetë vjet që ka qenë i hartuar dhe përgatitur dhe nuk ka ecur. Secila parti politike, secila qeveri, në fushatën elektorale e ka pasur premtim që do ta realizojë, do ta dërgojë në kuvend këtë ligj, sepse vërtet është i nevojshëm dhe asnjëra qeveri deri më tani, ka qenë premtim edhe i kësaj qeverie. Bile, bile ka qenë i caktuar me muaj, në dhjetor të 2021 e që e kanë pas shtyrë për kohë të pacaktuar”, ka thënë Zeqiri.
Ai ka bërë të ditur se peticioni është nënshkruar nga 63 për qind e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
E nënkryetari i Sindikatës, Avdi Hoti, ka theksuar se që nga paslufta asnjë qeveri nuk ka arritur të zgjidhë problemet e Policisë së Kosovës. Duke folur për seancën Kuvendit të së enjtes për çështjen e Policisë dhe konferencën për shtyp të LVV-së, ai ka thënë se pozitë e opozitë po luftojnë politikisht mbi këtë kauzë.
“Ju kisha lutë si pozita, si opozita mos na dëmtoni më shumë. Besoni që me disa gjëra jeni duke na dëmtuar, sepse të gjithë juve ju kam parë edhe më herët bre, ju jeni kanë. Ku ishit ju që nuk i rregullojshi këto çështje deri më tash. Tash po mundoheni me i rregullu këto çështje. Nesër si të vini ju në vendin e tyre e ata në vendin e juaj, ne kemi ardhë prapë ndoshta me mbajt takim me ta, e ju nuk keni me ardhë... A e dini që kur është vra një polic i Kosovës i ka pasur 1 euro e 70 centë në xhep”, ka thënë Hoti.
Deputetët e opozitës kanë thënë se Qeveria me veprimet deri më tash ka treguar joseriozitetin për t’i plotësuar kërkesat e Policisë. Deputetja e PDK-së, Arjana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se pushteti nuk është i gatshëm as t’i dëgjojë kërkesat e Policisë e lëre më t’i zbatojë ato.
“Dhe ne në Kuvend nuk po bëjmë luftë, ne si opozitë po flasim dhe po mundohemi që ato që i kemi kërkesa direkt nga kolegët e juaj policë, t’i flasim në Kuvend aty ku jemi të përzgjedhurit e qytetarëve. U përmend që qe 22 vjet nuk është bë kurrgjë. Të gjitha që i keni sot si Polici e Kosovës, i keni falë qeverive të kaluara, përfshi trajnimet, ligjet për paga, përfshi këto uniforma që i keni, pajisjet, të gjitha i keni nga qeveritë e kaluara. Unë e kuptoj që një qeveri nuk mund t’i bëjë të gjitha, por shtesën për rrezikshmëri, në pagë, shujtën, të gjitha i keni nga qeveritë e kaluara”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Kritikën se opozita e ka shndërruar çështjen e Policisë në luftë për përfitime politike e ka kundërshtuar edhe deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.
“Nuk mendoj se është në rregull me u kritiku opozita përderisa kemi pushtetin tash dhe po e kritikoni 20- vjeçarin dhe pikërisht në kohën e z. Haradinaj i keni pasur shtesat e paguara, ku tash nuk po i merrni, dhe ka pasur edhe benefite të tjera shtesë, që tash nuk janë. Ato që janë bë qe 20 vjet sot nuk po ju bëhen. Sot jua kanë hequr orët shtesë, rrezikshmëria, janë ulur pagat dhe pikërisht jeni për këtë arsye këtu”, ka thënë Bytyqi.
Por nënkryetari Hoti deklaroi se përgjatë 24 viteve nuk është bërë asgjë për Policinë e Kosovës.
“Rrezikshmërinë e ka bë UNMIK-u, kur ka qenë UNMIK-u e ka bë një shtesë dhe ajo ka mbetur. Sigurimi shëndetësor nuk u bë tash qe dy vjet që the, por nuk u bë qe 24 vjet sigurimi shëndetësor. Nuk u bë prej askujt. Dhe me të thënë me përgjegjësi të plotë hiç kurgjo nuk është bë për Policinë e Kosovës tash e 24 vjet. Hiç, kurrgjë hiç. Absolut. As nuk keni bë shtesa të shujtës, as nuk keni bë sigurim shëndetësor e jetësor, as nuk e keni bë, nuk keni nxjerrë një rregullore ose një akt ligjor që nëse vdes polici në detyrë sa i takojnë familjes të atij polici”, ka thënë tutje Hoti.
Policia e Kosovës nuk ka marrë shtesa të rrezikshmërisë që nga muaji shkurt, prej kur ka nisur implementimi i Ligjit të Pagave.
Nëpërmjet një peticioni policët kanë listuar dhjetë kërkesa, përfshirë shtesën e rrezikshmërisë, si dhe sigurimin shëndetësor e atë jetësor. Deri tash Qeveria nuk ka dhënë sinjale se do t’i përmbushë.
Lëvizja Vetëvendosje e ka bojkotuar të enjten seancën e thirrur nga PDK-ja për të diskutuar lidhur me shtesat e rrezikshmërisë, sigurimet shëndetësore e pensionimin e parakohshëm të policëve. Sipas LVV-së, me të gjitha çështjet e ngritura në rezolutën e PDK-së tashmë është duke u marrë Qeveria.