Është shtyrë sërish intervistimi i kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek, për përgjegjësinë e tij në vendosjen e barrikadave në veri, dy vjet më parë. Shtyrja ka ndodhur me kërkesë të mbrojtjes. E në Listën Serbe kanë konfirmuar se ai do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, por akuzat i kanë cilësuar si të montuara politikisht.
Kryetari i Listës, Zlatan Elek, nuk do të intervistohet as të enjten nga prokuroria rreth rolit të tij për vendosjen e barrikadave në veri dy vjet më parë.
Lajmin për shtyrjen e intervistimit e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, e cila tha se kjo është bërë “për arsye shëndetësore” të avokatit të Elekut.
“Z. Zlatan Elek është ftuar për intervistim në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar në rastin e vendosjes së barrikadave në pjesën veriore në vitin 2022, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese. Por, intervistimi i z. Elek është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes për një datë tjetër, për arsye shëndetësore të avokatit të z. Elek”, tha Luta.
Është hera e dytë që shtyhet intervistimi i kryetarit të Listës Serbe, i cili ka siguruar edhe mandatin e deputetit të Kosovës.
E, Lista Serbe ka konfirmuar se Elek do t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë.
“Thirrjes Elek i përgjigjet si kryetar i Listës Serbe, kirurg pediatër i respektuar dhe njeri i ndershëm, thellësisht i vetëdijshëm për pastërtinë e tij juridike dhe morale, sepse nuk ka kryer asnjë vepër të kundërligjshme...” – u tha nga Lista Serbe.
Lista Serbe e ka interpretuar ftesën e Prokurorisë si proces të montuar politikisht dhe të drejtuar kundër serbëve dhe përfaqësuesve të tyre.
E Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i ka dalë në mbrojtje Elekut, duke pretenduar se intervistimi i tij bëhet për akuza të rreme dhe të montuara nga autoritetet kosovare.
Përveç Elekut, ftesë për intervistim kanë marrë edhe përfaqësues të tjerë të Listës Serbe, përfshirë deputetët Igor Simiq dhe Slavko Simiq.
Në dhjetor të vitit 2022, protestues serbë bllokuan rrugët në veri, për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.
Të premten Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit Slavko Simiq edhe për një rast tjetër e që lidhet me sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq më 2023.