LAJMET E MBRËMJES

Shtyhet seanca ndaj ish-pjesëtarit të FSK-së, të akuzuar për plagosjen e dy të rinjve serbë

Azem Kurtaj, ish-pjesëtar i FSK-së, që akuzohet se më 6 janar ka plagosur dy të rinj serbë, një 11 dhe një 21-vjeçar, në fshatin Gotovushë të Shtërpcës, ka qenë i pranishëm në gjykatoren e Gjykatës Themelore në Ferizaj. Imri Sejda, kryetar i trupit gjykues, e ka miratuar kërkesën e palës së dëmtuar për shtyrje të seancës shkaku i mospajisjes me dokumente në gjuhën serbe, ani se prokurori i rastit, Fatos Ajvazi, ka thënë se përkthimet do të jenë të gatshme gjatë javës së ardhshme

Mospajisja e palëve me dokumente dhe me aktakuzën në gjuhën serbe është bërë shkak që të shtyhet për javën e ardhshme seanca gjyqësore e së enjtes në rastin ndaj ish-pjesëtarit të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), Azem Kurtaj, të akuzuar për plagosjen e dy të rinjve të komunitetit serb në fshatin Gotovushë të Shtërpcës.

Kurtaj ka dalë para trupit të gjyqtarëve në Gjykatën Themelore në Ferizaj, porse seanca është shtyrë me kërkesën e palës së dëmtuar. Me kërkesë të saj është marrë edhe vendimi që të ndalohen xhirimet në sallën e gjykatës, shkaku që në të ishte i pranishëm edhe një i mitur.

Imri Sejda, kryetar i trupit gjykues, i ka miratuar të dy kërkesat, ani se prokurori i rastit, Fatos Ajvazi, ka thënë se përkthimet e dokumenteve do të jenë të gatshme gjatë javës së ardhshme.

Para vendimeve, mbrojtja e të akuzuarit ka kërkuar që Kurtaj të lirohej, pasi që e ka kualifikuar si të kundërligjshëm paraburgimin e tij.

Aktakuza, të cilën e ka siguruar KOHA, e ngarkon Kurtajn se me dashje dhe me anë të përdorimit të armës ka shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve. Në aktakuzë thuhet po ashtu se ai, gjatë ngasjes së veturës në drejtim të Brezovicës, me të mbërritur në fshatin Gotovushë, ka hasur në një grup të qytetarëve që ia kanë pamundësuar lëvizjen automjetit, teksa të rinj të komunitetit serb ishin duke festuar.

“Fillimisht i bie burisë me qëllim që t’ia lirojnë rrugën e më pas, nëpërmjet dritares së automjetit të tij, shtie një herë në ajër me revole, si dhe një herë tjetër në drejtim të ulët në tokë, me ç’rast predha godet asfaltin dhe një pjesë e predhës rikoshe godet të dëmtuarin S.S. në pjesën e sipërme të krahut, ndërsa pjesa tjetër e predhës godet të dëmtuarin tjetër M.S. në shpinën e shuplakës së dorës së majtë, të cilët si pasojë e goditjeve pësojnë lëndime trupore e të cilat lëndime bazuar në mendimin dhe konstatimin e ekspertit mjeko-ligjor të datës 24.01.2023, bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore dhe me pasoja të përkohshme për shëndetin”, thuhet në aktakuzë, duke e përshkruar veprën penale si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 356 paragrafi 1 i KPRK-së”. “I pandehuri ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e aplikueshëm lidhur me armët në Kosovë dhe ka përdorur revolen e llojit ‘Mossberg’, të modelit MC2C dhe kalibrit 9x19 mm, të cilën e ka poseduar me leje dhe autorizim. Në atë mënyrë që përderisa ka qenë duke drejtuar automjetin e tij, në pamundësi që të kyçet në rrugën që shpie për në qendrën e skijimit, duke qenë se në atë vend kishte disa qytetarë, të cilët ishin mbledhur për të festuar, i njëjti kthen veturën në drejtim të Shtërpcës dhe sapo largohet në një distancë të papërcaktuar nga ata persona, në lëvizje e sipër me veturë, përmes dritares shtien njëmbëdhjetë herë në ajër me revole”.

Pas shtyrjes së seancës, Kujtim Kerveshi, avokati mbrojtës i të pandehurit Kurtaj, ka thënë se bazuar në aktvendimit, mbajtja e klientit të tij në paraburgim është e kundërligjshme.

Ai ka sqaruar se Gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Kurtajt nga paraburgimi.

“Që në momentin e ushtrimit të aktakuzës pushojnë arsyeje për të cilat është përcaktuar paraburgimi për të mbrojturin tonë, sipas aktvendimit i cili është shpallur më 2 shkurt. Mbajtja e tij në paraburgim, mbrojtja vlerëson se është e kundërligjshme dhe nuk mbështetet në asnjë arsyeje në të cilat është caktuar ai për shkak se i mbrojturi im tashmë nuk akuzohet për vrasjen e rëndë të mbetur në tentativë, e cila fillimisht ka qenë baza e inicimit të këtij rasti penal dhe sot kemi një aktakuzë tjetër”, ka thënë Kerveshi.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme.