Raportimi i komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë është karakterizuar nga polemikat. Komisionerja Krenare Sogojeva-Dermaku ka prezantuar raportin vjetor para deputetëve, por ai është kontestuar nga deputetja prej radhëve të PDK-së, Ganimete Musliu
Raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka nxitur përplasje verbale në Komisionin për Çështje të Sigurisë, për shifrat dhe punën e institucionit.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor, të martën, kryetarja e Agjencisë, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka thënë se ka pasur rritje të ankesave nga qytetarët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Gjatë periudhës raportuese janar-dhjetor 2025, në total kemi pranuar 1.085 ankesa në të dy shtyllat. Nga to 927 janë për qasje në dokumente publike. Çfarë vlen të theksohet se 832 janë përfunduar nga 927, të tjerat janë bartur për vitin 2026 për shkak të pamundësisë për shqyrtim gjatë 2025 dhe kjo për shkak të stafit shumë të vogël”, ka thënë ajo.
Raporti është kritikuar nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
“Numrat pa analizë për mua janë më shumë propagandë sesa llogaridhënie institucionale... Mungesa e pavarësisë së dukshme: Edhe pse agjencia quhet e pavarur, ka raste konkrete ku ka sfiduar institucione të fuqishme. Nuk shihet rol aktiv në raste të ndjeshme publike”, ka thënë Musliu.
Komisionerja i ka hedhur poshtë kritikat, duke i quajtur “tendenca personale”, dhe pas kësaj janë zhvilluar polemika.
“E para, cilat janë institucionet e rëndësishme? Prej Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, që bash askush s’ka guxuar me i prek, pikërisht për transparencën e kësaj agjencie, është gjobitë Agjencia për Inteligjencë. Janë gjobitë Ministria e Jashtme, komunat, institucionet publike të gjitha ato që nuk kanë dhënë qasje”, ka thënë Sogojeva-Dermaku.
E deputetja Musliu ka konstatuar se tensioni i shfaqur nga Sogojeva-Dermaku vërteton versionin e saj për raportin.
“Analiza ime ishte për raportin, nuk jam këtu për ta bërë qejfin as ty, askujt tjetër. Vetë tensioni yt, vetë agresiviteti yt ndaj analizës sime flet mjaftueshëm”, ka thënë Musliu.
Në krah të kryetares së Agjencisë ka dalë deputetja nga radhët e LVV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi.
“Kritikat që ia bëri kjo kolegia jonë raportit tuaj, unë mendoj se ai raport më shumë ishte si sugjerim nga Chat GPT, sesa vetë analizë e deputetes në fjalë”, ka thënë Mehmeti-Selimi.
Debati është përshkallëzuar edhe me përplasje mes deputetëve për çështje politike, ku Musliu ka thënë se “pushteti është i përkohshëm”, ndërsa kryesuesi i komisionit, Mefail Bajqinovci, ka thënë se askujt nuk i është mohuar fjala.
Mbledhja ka vazhduar me dyer të mbyllura.