LAJMET E MBRËMJES

Shqipëria hap edhe katër kapituj të rinj të negociatave të anëtarësimit me BE-në

Shqipëria ka shënuar të martën një hap tjetër drejt anëtarësimit në bllokun evropian, pasi që i ka hapur edhe katër kapituj të rinj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin, Edi Rama, zyrtarja e lartë e BE-së, Marta Kos, e ka kualifikuar mbresëlënës shpejtësinë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së, teksa e ka inkurajuar shtetin që të vazhdojë me këtë ritëm

Republika e Shqipërisë ka hapur të martën edhe katër kapituj në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), me çka numri i përgjithshëm i kapitujve të hapur është rritur në 28. 

Kanë mbetur për t’u hapur vetëm edhe pesë kapituj negociues, pasi që nga 35 kapituj sa janë në këtë proces, për dy nuk negociohet dhe mbeten vetëm në fund. 

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë të martën se është e bindur që Shqipëria, deri në fund të këtij viti, do t’i hapë edhe kapitujt e mbetur.

E, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se shteti i tij do ta vazhdojë angazhimin maksimal për t’i përmbushur objektivat. 

Shqipëria, kësisoj, për më pak se një vit ka hapur më shumë kapituj sesa që i ka hapur Serbia për pothuajse dhjetë vjet. Në këtë mënyrë, Shqipëria, krahas Malit të Zi, është duke u bërë një prej vendeve udhëheqëse në procesin e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe në procesin e zgjerimit.

Në konferencën ndërqeveritare midis BE-së dhe Shqipërisë, e cila është mbajtur të martën dhe në të cilën janë hapur kapitujt e rinj për Tiranën zyrtare, shumë zyrtarë të Bashkimit Evropian e kanë përmendur si dëshmi se ekziston një momentum pozitiv për procesin e zgjerimit me Bashkimin Evropian, porse shpejtësia varet nga meritat e vendit kandidat.

Sfidë kryesore për Shqipërinë në të ardhmen do të jetë mbyllja e kapitujve, ngase ajo nuk mund ta mbyllë asnjë kapitull përderisa të mos miratohet një raport pozitiv për përmbushjen e kritereve kalimtare në fushën e sundimit të ligjit. Por diplomatët në BE kanë shprehur shpresën se me një përkushtim të përnjëmendtë nga ana e Shqipërisë, edhe kjo sfidë mund të tejkalohet dhe se në vitin e ardhshëm Shqipëria t’i nisë dhe t’i mbyllë kapitujt.