LAJMET E MBRËMJES

Shoqëria civile i kërkon presidentes t’i drejtohet Kushtetueses para se të mandatojë LVV-në për qeverinë

Ndonëse partitë parlamentare shqiptare e kanë kontestuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese në procedurë e ka vetëm një ankesë të Listës Serbe. Në shoqërinë civile i kanë kërkuar presidentes që t’i drejtohet për sqarime Gjykatës para se t’ia propozojë Kuvendit emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë. Vlerësohet se edhe me ankesën e Listës Serbe, Gjykata ka bazë të mjaftueshme për t’i dhënë vlerësim kushtetues konstituimit të Kuvendit

Gjykata Kushtetuese është duke e proceduar kërkesën e Listës Serbe, e cila u ankua se me ndarjen e procedurës së votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet, u shkel Kushtetuta dhe të drejtat e serbëve.

Në një përgjigje për KOHËN në këtë Gjykatë e kanë konfirmuar se Lista Serbe nuk i është drejtuar institucionit të Legjislativit me termin “Kuvendi i Prishtinës”, siç bëri publikisht kjo parti në njoftimin për ankesë.

Megjithatë, 4 ditë pas shpalljes së Kuvendit të konstituuar, asnjë nga partitë politike shqiptare që e ka kontestuar këtë vendim të kryeparlamentarit Dimal Basha, nuk është ankuar në Kushtetuese.

Aktualisht veprimet e mëtejshme për propozimin e mandatarit kanë mbetur në dorë të presidentes, e cila ka thënë se ekipi i saj ligjor është duke e analizuar procesin e konstituimit të Kuvendit.

Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjen se a do ta dërgojnë emrin e mandatarit për kryeministër te presidentja.

“Ato janë gjëra të Prishtinës, atje i diskutojmë ato”, ka thënë Kurti të martën në Suharekë.

Mirëpo Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi thotë se presidentja nuk duhet të ndërmarrë veprime në kuadër të formimit të institucioneve të reja, pa iu drejtuar edhe njëherë Kushtetueses.

“Do të duhej të aktivizohej edhe presidentja e Kosovës që të dërgoj rastin e njëjtë në Kushtetuese për arsye se ajo është vendosur para një dileme të kërkoj VV-së t’ia dërgojë mandatarin për qeveria apo jo. Në këto rrethana ne si IKD vlerësojmë se ajo nuk do të duhej ta bëjë një gjë të tillë që t’i kërkojë VV-së mandatarin por t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese nëse janë shkelur parimet e Kushtetutshmërisë”, ka thënë Jakaj.

Basri Muja, njohës i çështjeve politike, thekson se nëse Gjykata e konteston kushtetutshmërinë e shpalljes së Kuvendit të konstituuar, duhet të marrë vendim para afatit të përcaktuar nga vetë ajo për konstituim, i cili përfundon edhe 15 ditë, për të shmangur pasoja të tjera.

“Mendoj që Gjykata Kushtetuese do të duhej të jetë më e shpejtë në vendimmarrje edhe për shkak të natyrës së problemeve edhe për shkak të afateve të cilat ajo i ka përcaktuar. Me sa jam i informuar Lista Serbe veçse i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese e ka mundësinë që të japë një përgjigje meritore”, ka thënë Muja.

Por, për të mos lejuar pasoja ligjore a kushtetuese, sipas Jakajt, deri në vendimin përfundimtar, Gjykata duhet të pezullojë të gjitha veprimet a vendimet që lidhen me konstituim.

“Gjykata po presim edhe besojmë që do të merr një masë të përkohshme sepse dëmi mund të jetë i pa riparueshëm në rast se presidentja do të aktivizohet dhe do të kërkonte mandatarin për formim të qeverisë së Kosovës. Sepse paramendoni situatën sikur të kishte një formim të qeverisë dhe më pastaj Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë atë Kuvend dhe rrjedhimisht do të kishim një qeveri jokushtetuese nga një Kuvend jo Kushtetues”, ka deklaruar Jakaj.

Pasojë nga vendimi i ardhshëm i Gjykatës, Muja pret që do të jenë zgjedhjet e reja ndonëse, sipas tij, do të krijohej precedent i keq.

“Sigurisht që do të jenë zgjedhjet e reja porse mendoj se dëmi më i madh do të jetë sepse do të krijohej një precedent i keq pastaj ta zëmë një pakicë, një grup prej 4 për qind të votuesve të Kosovës, sado që janë të rëndësishëm ata, do ta kenë luksin që ta bllokojnë komplet jetën institucionale në Kosovë”, ka shtuar Muja.

Pas konstituimit presidentja duhet t’i propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë fituese të zgjedhjeve.

Dhe, jo më vonë se 15 ditë pas mandatimit nga presidentja, mandatari duhet t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar, zgjedhja e të cilit bëhet me 61 vota.