LAJMET E MBRËMJES

Shiu shuan zjarret

Situata me zjarret është lehtësuar dhe në këtë ka kontribuuar moti me të reshura shiu. Në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave kanë thënë se nuk ka asnjë vatër zjarri (e martë mbrëma). E njohës të ambientit e vlerësuan të domosdoshëm marrjen e masave parandaluese tek dëmet i kualifikuan të kushtueshme

Reshjet e shiut gjatë natës e që vazhduan edhe gjatë ditës së martë, kanë kontribuuar në lehtësimin e situatës me zjarre në komuna të shumta të Kosovës.

Sipas të dhënave nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, janë lokalizuar nëntë vatra të reja zjarri.

“Pas raportimit të fundit për numrin e zjarreve ditën e hënë, nga ora 14:00 e deri në orën 20:00 të mbrëmjes, deri në mëngjesin e së martës janë lokalizuar edhe 9 vatra të reja të zjarrit. Ndërsa, aktualisht nuk ka asnjë rast aktiv me zjarre”, thuhet në njoftimin e kësaj agjencie.
Zjarret që u përhapën në zona të shumta përreth Kosovës kanë shkaktuar dëme të mëdha, kanë vlerësuar njohës të ambientit. 

Ekologu Qazim Kukalaj thotë se dëmet e shkaktuara janë të natyrës ekonomike, sociale e mjedisore, teksa shton se shkaktari kryesor i zjarreve mbetet faktori njeri.

“E përmenda që njeriu, pakujdesia është faktori kryesor. Por, kemi raste me zjarre të qëllimshme, e ndodh në rastet kur fermerët që kanë bagëti, i kanë ndezur kullosat, dëllinjat e materialet e tjera, që ta shtojnë sipërfaqen e kullosave, e që ka raste kur është ndezur edhe pylli më cilësor”, ka thënë Kukalaj.

Kukalaj thekson se zjarret shkaktohen edhe nga grumbullimi i mbeturinave e që mund të përmbajnë materiale ndezëse a shpërthyese.

E për pasojat e zjarreve të ditëve të fundit, ai thotë se do të jenë afatgjate.

“Zjarri përveç që shkatërron botën bimore, ai e shndërron terrenin në shumë të përshtatshëm për shembje të tokës, prish strukturën e tokës, e gjithsesi se i shkatërron edhe gjallesat e tjera. Kemi pasur këtë vit edhe raste kur zjarri ka shkuar deri në shtalla dhe kafshët e buta janë djegur prej tyre”, ka theksuar Kukalaj.

Kukalaj ka këshilluar autoritetet që të ndërmarrin masa për parandalimin e zjarreve, mes të cilave ka përmendur ndërtimin e korridoreve për zjarret në pyje, vendosjen e rezervuarve të ujit e ngritjen e pyjeve me drunj të përzier.