Takime të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojë më 17 gusht, shefi NATO-s, Jens Stoltenberg. Pak ditë para takimit të tij me Vuçiqin, të paraparë për 18 gusht, kryeministri Kurti ka përsëritur se në Bruksel do të udhëtojë për dialogun që çon drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, përbrenda së cilës është edhe njohja reciproke
Angazhim të shtuar për zgjidhjen e problemeve me dialogun do të ketë edhe nga ana e shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, do t’i presë më 17 gusht për takime të ndara kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. E pas këtyre takimeve, janë paraparë që të mbahen edhe konferenca për media.
Takimet do të zhvillohen vetëm një ditë para nisjes së raundit të ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Sekretari i NATO-s ka qenë aktiv në çështjen e Kosovës që pas tensioneve në veri. Ai ka dhënë zotimin se “në përputhje me mandatin e tij, misioni i KFOR-it po e monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti”.
Në një intervistë për gazetën “Vjesti” nga Mali i Zi, Stoltenbergu ka thënë se të gjitha palët duhet t’i shmangin veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, me ndërmjetësimin e BE-së.
Përkitazi me takimin e planifikuar që të mbahet në Bruksel, Kurti ka përsëritur të premten se dialogu duhet të jetë për marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe për normalizim të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me anë të njohjes reciproke.
“Kam gatishmëri dhe interesim që dialogu në Bruksel, bisedimet aty, përveçse të jenë parimore dhe përmbajtjesore, në të njëjtën kohë të mos jetë dialog për dialog, por dialog për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë me njohje reciproke në qeveri. Por ju duhet ta kuptoni që marrëveshja bëhet me palën tjetër dhe në këtë rast varet nga pala tjetër a do të ketë marrëveshje, ndërsa sa më përket mua, gatishmëria dhe interesimi janë të padiskutueshme dhe të palëkundshme”, ka thënë Kurti.
Në mbrëmjen e 31 korrikut, pak para se pritej që të niste zbatimi i vendimit për reciprocitetin në letërnjoftime, serbët kanë bllokuar pikat kufitare që çojnë drejt Jarinjes e Bërnjakut. Pas kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, Qeveria ka shtyrë zbatimin e vendimit për këto pika, deri më 1 shtator.
Kurti ka vlerësuar se reciprociteti përbën veprim të shëndoshë dhe normal të marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Ne po i marrim vendimet sovrane, por unë e kam thënë edhe në takimin e 15 qershorit të vitit të kaluar, edhe në 19 korrik të vitit të kaluar, se marrëveshja është e qëndrueshme dhe e zbatueshme, kur ka parime të shëndetshme brenda, reciprociteti është veprim i shëndosh dhe normal i marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka deklaruar ai.
Takimi i fundit midis Kurtit e Vuciqit në Bruksel është mbajtur në korrikun e vitit të shkuar.