Gjykata Speciale i ka liruar me kushte ish-deputetin Haxhi Shala, i dënuar në këtë gjykatë, si dhe ish-drejtorin e AKI-së, Bashkim Smakaj dhe ish-luftëtarin e UÇK-së, Fadil Fazliun. Specialja ka njoftuar se për lirimin e tyre, Smakaj i ka dhënë 50.000 euro dorëzani ndërsa Fazliu 40.000
I dënuari nga Gjykata Speciale, Haxhi Shala, dhe të akuzuarit Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë liruar me kusht.
Dhomat e Specializuara e kanë liruar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, i cili ka mbajtur burg për frikësim të një dëshmitari të Speciales dhe për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.
Shala i ka 10 kushte nga Specialja, përfshirë edhe atë që nuk mund të dalë jashtë vendit pa lejen e Gjykatës Speciale, si dhe nuk mund të bëjë deklarime publike e postime.
Ai duhet të paraqitet në stacion policor, në përputhje me urdhrin e Gjykatës.
“1) Të qëndrojë në vendbanimin e tij të përhershëm; 2) Ta njoftojë Administratën dhe stacionin policor të cekur nga regjistruesi për ndryshim të vendbanimit të përhershëm, me kusht lejen e dhënë nga presidenti; 3) Të paraqitet në stacionin policor të identifikuar nga Administrata; 4) T’i dorëzojë pasaportat aktuale dhe të ardhshme ose dokumenteve të udhëtimit të z. Shala tek Administrata; 5) Të qëndrojë në Kosovë dhe ta njoftojë Administratën për çdo synim për të udhëtuar jashtë Kosovës dhe ta kërkojë lejen nga kryetarja”, specifikohet në kushtet për lirimin e Shalës.
Si arsye për lirimin e Shalës, Gjykata e ka përmendur edhe pendimin e tij.
E ish-drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, e veterani i UÇK-së, Fadil Fazliu, të cilët akuzohen për tentimpengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe për shpërfillje të gjykatës i kanë lënë asaj para në dorëzani.
Smakajt do t’i konfiskohen 50.000 euro në rast se arratiset, ndërsa Fazliut 40.000 euro.
Gjyqtari Christopher Gosnell ka vlerësuar se mbajtja e Smakajt dhe e Fazliut përtej minimumit të dënimit do të përbënte shkelje të të drejtave të tyre.
“Gjykatësi mori parasysh se koha që z. Smakaj dhe z. Fazliu kanë kaluar deri tani në paraburgim tejkalon dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit në qoftë se do të shpalleshin fajtorë. Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet. Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ka rrezik që z. Fazliu dhe z. Smakaj të arratisen, sidomos duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar prej tyre, të cilën do ta humbnin në rast se arratisen”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Ndryshe nga ish-deputeti Shala, Smakaj dhe Fazliu e kanë statusin e të akuzuarve, për çka ata janë të detyruar që të jenë në dispozicion të gjykatës për seancën e caktuar për 27 shkurt.
Por, ngjashëm me Shalën, edhe Smakaj e edhe Fazliu nuk mund të dalin nga Kosova pa lejen e gjykatës dhe duhet të paraqiten në stacion të caktuar policor në përputhje me rregullat e caktuara nga gjykata.
Lirimin e tyre e kanë përshëndetur në Organizatën e Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së.
Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se lirimi me kusht i Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Haxhi Shalës është lajm i gëzueshëm për familjet e tyre dhe për të gjithë që besojnë në pafajësinë e çlirimtarëve.