LAJMET E MBRËMJES

Sesioni vjeshtor nis me kërkesën e opozitës për rrëzim të Qeverisë

Rrëzimi i Qeverisë Kurti nëpërmjet mocionit, si dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme ishin kërkesat e opozitës të shpalosura në seancën e parë të sesionit vjeshtor. Deputetët opozitarë shprehën ankesa ndaj Qeverisë, mandati i së cilës bën thirrje që të përfundojë sa më parë. Përveç mënyrës së qeverisjes, aty u kritikua edhe drejtimi i dialogut nga kryeministri Albin Kurti. Seanca, e para e sesionit, nuk e pa fundin

Me dy seanca brenda ditës Kuvendi i Kosovës të enjten e ka nisur sesionin vjeshtor. Por, deputetët e kthyer prej pushimit më shumë se 1-mujor, nuk arritën ta përmbyllnin as seancën e parë, e cila nisi me 30 minuta vonesë.

Kryefjala e kësaj seance ishte kërkesa e opozitës për rrëzim sa më parë të Qeverisë Kurti nëpërmjet mocionit, si dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.

Që në fillim të seancës shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, u deklarua se gjatë këtij sesioni PDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë votim në Kuvend për t’i kontribuuar në këtë mënyrë shpërndarjes sa më të shpejtë të legjislativit e shpalljes së zgjedhjeve të reja.

“Ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do t’ju mbështesim në asnjë rrethanë, në asnjë votim, në asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në asnjë projektligj. Angazhimi ynë do të jetë që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt. Kjo legjislaturë të shkojë në shtëpi sa më shpejt, mandati t’u kthehet qytetarëve dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Tahiri.

Në këtë frymë foli edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai u kërkoi deputetëve mbështetje për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Tha se legjislativi duhet ta marrë në dorë përgjegjësinë që i takon për t’i dhënë drejtim tjetër Kosovës, ndryshe nga ai që ia ka dhënë Qeveria Kurti, sipas tij.

“Dita e sotme, kur Kosova si palë ulet në tavolinë e ndëshkuar, e dënuar paraprakisht me sanksione duhet të na japë alarmin që ta bashkojmë votën në mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti, ta nxjerrim Kurtin, ta nxjerrim Kosovën nga drejtimi i gabuar”, u shpreh Haradinaj.

Kritika të shumta kryeministri Albin Kurti mori edhe për takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që e zhvilloi te enjten në kuadër të dialogut në Bruksel. Ai u kritikua për mostransparencë në këtë proces. Deputeti i Lidhjes Demokratike, Driton Selmanaj, ka thënë se në takimet e Kurtit me Vuçiqin nuk dihet asnjëherë agjenda. Ai shtoi se Kurti e ka shpërfillur faktin se në Kuvendin e Kosovës janë miratuar tri rezoluta që e obligojnë kryeministrin të raportojë para dhe pas çdo takimi në kuadër të bisedimeve me Serbinë.

“Kjo Qeveri e ka shndërruar Kuvendin e Kosovës në spektatorin e fundit që merr vesh se çfarë po ndodh në Bruksel. Çka në fund konsiderohet pyetje logjike është që ky takim a po bëhet me koordinim a pa koordinim. Përgjigjja është që me koordinim me Kuvendin e Kosovës dhe me forcat politike në Kosovë jo. Në koordinim me kë?”, ka deklaruar Selmanaj.

E deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, vlerësoi se dialogu i drejtuar nga Kurti nuk ka parime dhe nuk është i orientuar kah marrëveshja përfundimtare. Ai e kritikoi Qeverinë për mungesë komunikimi me aleatët. Sipas tij, në dialog Kurti e ka bërë Kosovën çështje të sigurisë evropiane, në vend se ta shfrytëzojë atë për ta përmbyllur shtetësinë e Kosovës.

“Neve na duhet një mandat i ri i këtij institucioni dhe i këtij Kuvendi me qëllim që Kosovën ta kthejmë tek parimet kyç të dialogut dhe parimet kyç të dialogut janë marrëveshje obligative ligjore jobazike, marrëveshje finale jo të përkohshme, marrëveshje për njohje të ndërsjellë dhe jo marrëveshje që është në fakt mosmarrëveshje. Dhe këtë e them se e kam bindjen që në procesin ku është Kosova, unë nuk pres personalisht jo në 2023 apo 2024, por nuk pres për një kohë të gjatë që të arrihet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për njohje të ndërsjellë”, është shprehur Hoxhaj.

Kritika shprehu edhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi. Ai hodhi nëpër dyshemenë e Kuvendit fletushka me mbishkrimin “Zdravo” e me fotografi të kryeministrit Kurti në të.

Pas më shumë se 5 muajsh mospjesëmarrje në seancë, të enjten erdhën deputetët e Listës Serbe, të cilët u nënshkruan dhe qëndruan për pak minuta sa për ta mundësuar vazhdimin e mandatit të tyre, i cili do t’u përfundonte më 6 tetor po qe se nuk do të paraqiteshin deri atëherë.

Seanca e Kuvendit u ndërpre në gjysmë për të lënë hapësirë për mbajtjen e një seance tjetër të jashtëzakonshme. Kështu mbetën pa u shqyrtuar disa projektligje dhe një marrëveshje ndërkombëtare.