Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Serbia me strategji kundër aleancës ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Aleksandar Vuçiq

Në Serbi është prezantuar strategjia, që synon pajisjen e ushtrisë me platforma robotike, e edhe formimin e divizioneve dhe batalioneve të dronëve për sulme në distanca të gjata. Presidenti serb e ka arsyetuar veprimin, pasi ka thënë se situata e sigurisë është më e ndërlikuar “kryesisht për shkak të operacioneve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”. Deklaratës së tij i ka reaguar ministri kroat i Mbrojtjes

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në cilësinë e komandantit të Përgjithshëm të ushtrisë së këtij shteti ka kumtuar finalizimin e një strategjie robotike, për t’iu kundërvënë, siç ka thënë, aktiviteteve të realizuara në kuadër të aleancës ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci.

Ai ka thënë se në kuadër të kësaj parashihet formimi i një njësie të rangut batalion të pajisur me platforma robotike, kryerja e përgatitjeve organizative për formimin e divizioneve dhe batalioneve të dronëve për sulme në distanca të gjata dhe të municioneve fluturuese, trajnimi i njësive speciale të zbulimit për të përcaktuar koordinatat e objektivave për drejtimin e artilerisë dhe të zjarrit ajror, si dhe pajisja dhe trajnimi i mëtejshëm për përdorimin e dronëve në njësi të tjera.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas takimit me udhëheqjen më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Serbisë në kazermën “Banjica”, ai ka thënë se u ka kërkuar oficerëve që të marrin pjesë në digjitalizimin dhe robotizimin e ushtrisë, “duke përdorur raketat më të fuqishme dhe më moderne”.

“Situata e sigurisë është disi më e ndërlikuar se në janar kur e trajtuam këtë çështje, kryesisht për shkak të operacioneve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Vendosmëria jonë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë atë vetëm nëse jemi të fortë dhe mjaftueshëm të fuqishëm”, ka thënë Vuçiq.

Vitin e kaluar, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, mbështetjen e rrugës euroatlantike dhe thellimin e bashkëpunimit mes tre vendeve. Përfaqësues të të tri shteteve kanë përgënjeshtruar se aleanca kërcënon Serbinë.

Këtë e ka përsëritur të mërkurën edhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq.

“Në përgjigje ndaj pyetjeve të përsëritura për reagimin e Serbisë, përgjigja është e njëjtë – ka kaluar koha kur dikush i ka diktuar Kroacisë, sot shtet sovran dhe anëtare e NATO-s dhe BE-së, se çka të bëjë dhe si ta bëjë politikën e saj. Ajo s’do të ndodhë kurrë më”, ka shkruar Anushiq në X.

Ai ka njoftuar edhe për takim me ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nuka dhe ka thënë se takimi është konfirmim i miqësisë së fortë dhe aleancës ndërshtetërore. Anushiq ka theksuar se të dyja shtetet kanë qëllim paqen, sigurinë e stabilitetin në Evropën lindore dhe se mbi këto parime është thelluar bashkëpunimi në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse.

E, Vuçiq ka thënë se në ditët në vijim, do të nënshkruhen kontrata që i ka cilësuar shumë të rëndësishme për furnizimin me armë dhe pajisje ushtarake. 

“Presim vizita të rëndësishme dhe kontrata të reja me vende të tjera, me qëllim që të bëjmë porosi të mëdha për ushtrinë tonë. Besoj se në periudhën e ardhshme do ta ngremë në një nivel më të lartë gjithçka për të cilën folëm sot. Do të vazhdojmë të zhvillohemi në të gjitha fushat. Mendoj se do të jemi një nga ushtritë me ndërveprueshmërinë më të lartë dhe kapacitetet më të mëdha jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkime mbi Paqen, vetëm gjatë vitit 2024, Serbia ka shpenzuar rreth 2.2 miliardë dollarë për mbrojtje, afro pesë herë më shumë se Shqipëria, e cila renditet e dyta në rajon për shpenzime ushtarake.

Muajin e kaluar, Vuçiq ka njoftuar gjithashtu blerjen e raketave balistike supersonike nga Kina për forcat ajrore serbe. E për pak kohë, Vuçiqi ka paralajmëruar edhe kthimin e shërbimit të rregullt ushtarak.

Kroacia dhe Shqipëria janë pjesë e NATO-s, derisa në Kosovë është misioni i kësaj aleance, KFOR-i.