LAJMET E MBRËMJES

Serbi i akuzuar për nxitje të përçarjes dënohet me 3.000 euro gjobë

I akuzuari për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, Stefan Spasojeviq është dënuar për mbajtjen e bluzës me mbishkrimin “nuk e japim tokën e Car Dushanit”. I pandehuri është dënuar me gjobë prej 3.000 eurosh, pasi e ka pranuar fajësinë

Me 3.000 euro gjobë e ka dënuar të hënën Gjykata Themelore në Prishtinë të akuzuarin Stefan Spasojeviq për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. 

Më 14 tetor 2023, Spasojeviq u ndal nga një patrullë policore në Dren të Zubin-Potokut, pasi veshur pati bluzën me mbishkrimin “nuk ta japim tokën e Car Dushanit”.

Gjyqtari Lutfi Shala ka konstatuar se i akuzuari e ka pranuar fajësinë me vullnet të lirë dhe se nëse nuk e paguan gjobën do të dërgohet në vuajtje të dënimit.

“Është fajtor për shkak se e ka kryer veprën penale nxitja e përçarjes dhe mosdurimit e paraparë nga neni 141 paragrafit 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj gjykata në kuptim të dispozitave ligjore materiale dhe procedurale të akuzuarin e gjykon me dënim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Dënimi i shqiptuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me dënim me gjobë në lartësi prej 3000 eurove, të cilin dënim i akuzuari është i obliguar që ta paguajë në afatin ligjor pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Po qe se dënimi me gjobë nuk mund të realizohet konform dispozitave ligjore në fuqi, ai do të zëvendësohet me dënim burgimi”, ka thënë gjyqtari Shala. 

Spasojeviq ka lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale. 

E tek e ka lexuar aktakuzën prokurori special, Bekim Kodraliu, krahas mbishkrimit “nuk e japim tokën e Car Dushanit”, ka përmendur edhe mbishkrimin tjetër që përkon me një organizatë që veten e sheh pasardhëse të lëvizjes çetnike.  

“Me qëllim të prishjes së rendit publik ka ndërmarrë veprime konkrete në atë mënyrë që gjatë ndalimit për kontroll policor, i pandehuri ka pasur të veshur një bluzë të zezë me mbishkrime me motive nacionaliste, në pjesën e përparme të së cilës gjendej harta e Kosovës me mbishkrimin ‘Ne damo te zemlju Dušanova’ (Nuk e japim tokën e Car Dushanit), ndërsa në pjesën e pasme të saj ishte mbishkrimi ‘Ravnogorski Pokret – Ibarski Kolašin’, që përfaqëson emrin e një lëvizjeje politike me përmbajtje nacionaliste dhe motive nxitëse ndaj grupeve të tjera etnike në Republikën e Kosovë, çka me këto veprime publikisht ka nxitur urrejtje ndërmjet grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kodraliu.

Avokati i Spasojeviqit, Shyqyri Syla, i ka kërkuar gjykatës të marrë parasysh rrethanat lehtësuese.

“Mosha e tij relativisht e re, më parë i pagjykuar, ndaj tij nuk zhvillohet procedurë për ndonjë vepër penale, pendimin e tij të thellë dhe kërkimfaljen e për veprimet e tij”, ka deklaruar avokati Syla. 

Në prag të vendimmarrjes së gjykatës, prokurori Kodaliu ka kërkuar dënim nga 2.500 deri në 3.000, ndërsa avokati mbrojtës Shyqyri Syla 2.500 euro.

Pas dënimit, në një reagim të Prokurorisë thuhet se ky rast është dëshmi e angazhimit të saj në ndëshkimin e kryerësve të këtyre veprave penale, ngase cenojnë rëndë vlerat demokratike dhe të bashkëjetesës mes grupeve shoqërore në Kosovë.