E në Graçanicë, qytetarët serbë protestuan për të katërtën ditë kundër arrestimit të Dragisha Millenkoviqit për krime lufte. Nëpërmjet marshimit, ata e përçuan mesazhin e unitetit teksa nga bashkësia ndërkombëtare kërkuan reagim kundër arrestimit të qytetarëve serbë nga Policia e Kosovës
Me qindra serbë të Graçanicës protestuan edhe të martën, në pakënaqësi ndaj arrestimit të Dragisha Milenkoviqit, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.
Tek marshuan duke bartur pankarte me mbishkrime nacionaliste, ata e kërkuan lirimin e Millenkoviqit, ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
E krahas kësaj, e patën edhe një thirrje për bashkësinë ndërkombëtare.
“T’i dërgojmë një porosi të qartë dhe të pamëdyshje bashkësisë ndërkombëtare: Ndaloni që me vetëdije të merrni pjesë në zhdukjen e popullit serb nga hapësira e Kosovës. Të mbledhurit sot këtu po e pyesim bashkësinë ndërkombëtare a ju vjen turp për mosveprimin tuaj”, tha Miljana Dimitrijeviq, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë.
“Njerëz të pafajshëm po arrestohen, po persekutohen e po akuzohen rrejshëm, dhe atë para syve të një numri të madh të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët, njësoj sikurse një fëmijë i vogël kur turpërohet, deklarohen se aty po ndodh diçka e keqe, sikur ia kanë frikën diçkaje”, tha Dragana Mitiq, drejtoreshë e Shkollës së Ekonomisë.
Në fjalimet e mbajtura para objektit të Komunës u adresua edhe thirrja për dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të zgjedhur në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë.
“Kërkojmë që kryetarët e rinj të japin dorëheqje dhe të largohen nga objektet komunale, që këtë ta bëjnë edhe Forcat Speciale të Kosovës. Lërini njerëzit të lirë. Kemi të drejtë për jetë në paqe. Interes i përbashkët i të gjithë neve që jetojmë këtu janë paqja dhe demokracia, e për demokraci janë të nevojshme të dyja anët”, tha Milica Stanojeviq, profesoreshë e serbishtes nga Shillova.
E kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka lexuar para të pranishmëve deklaratën e përbashkët të Vidovdanit, pas së cilës protesta mori fund dhe u lirua për qarkullim të automjeteve edhe rruga Prishtinë-Gjilan.