Me urdhër të Gjykatës janë sekuestruar pasuri në vlerë mbi dy milionë euro për shkak të dyshimeve për shpëlarje parash. Prokuroria Speciale ka njoftuar se bëhet fjalë për dhjetëra banesa, lokale afariste, garazhe dhe depo që dyshohet se ishin ndërtuar për të futur në sistemin financiar të Kosovës para të përfituara nga mashtrimi, falsifikimi dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë. Pronari i tyre ishte arrestuar në shtatorin e vitit të kaluar, ndërsa një nga të dyshuarit vazhdon të jetë në arrati.
Janë sekuestruar banesa dhe prona të tjera në vlerë mbi dy milionë euro në lagjen “Mati” në Prishtinë për shkak të dyshimeve se ishin ndërtuar për të mundësuar shpëlarjen e parave.
Në Prokurorinë Speciale kanë thënë që pronat e sekuestruara janë të Sh.C, i arrestuar në muajin shtator të vitit të kaluar bashkë me dy persona të tjerë.
“Janë sekuestruar: 20 (njëzet) njësi banesore në sipërfaqe të tërësishme 1788.41 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 1,788,410.00 Euro; 02 (dy) lokale afariste me sipërfaqe të tërësishme 167.54 m², me vlerë të përafërt të tregut në lartësi 335,080.00 Euro; 17 (shtatëmbëdhjetë) vendparkingje (garazha) me sipërfaqe të tërësishme 241.96 m², me vlerë të përafërt të tregut 145,176,00 Euro; 6 (gjashtë) depo me sipërfaqe të tërësishme 28.87 m², me vlerë të përafërt të tregut 17,388.00 Euro”, u tha nga Prokuroria Speciale.
Sipas PSRK-së, pasuria e sekuestruar kap vlerën e 2.286.054 euro.
Prokuroria në shtatorin që shkoi, pati lëshuar urdhër ndalues të përkohshëm për 39 banesa, 30 garazhe, 17 parcela tokësore dhe bllokoi 5 xhirollogari bankare.
“Bastisja është kryer me qëllim të gjetjes së dëshmive materiale dhe arrestimit të të dyshuarve të cilët dyshohet që në periudhën kohore 2020/2024 kanë kryer veprat penale: Mashtrim, Falsifikim i dokumenteve dhe Legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë, me të cilat veprime të dyshuarit dyshohet të kenë përfituar mjete materiale në vlera të mëdha, të cilat më pas me qëllim të futjes në sistemin financiar të RKS-së, kanë kryer veprime të shumta, me të cilat dyshohet të kenë konsumuar veprën penale: Shpëlarja e Parasë”.
Një nga të dyshuarit gjendet ende në arrati që nga shtatori 2024.