LAJMET E MBRËMJES

SBASHK-u s’i përjashton protestat e grevat në shtator, e kritikon Qeverinë për mungesë dialogu

Përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit adresuan kritika për Qeverinë në detyrë dhe e shprehën nevojën për formimin e institucioneve të reja për ta pasur një adresë ku t’i adresojnë problemet. Ata e ngrenë edhe mundësinë për protesta dhe grevë në fillim të vitit të ri shkollor, po qe se edhe ekzekutivi i ardhshëm, sikurse Qeveria aktualisht në detyrë, nuk do të dialogojë me sindikata

Sindikata e Bashkuar e Arsimit e ngriti mundësinë për protesta e grevë në fillim të vitit të ri shkollor po qe se ekzekutivi i ri, i formuar pas konstituimit të Kuvendit, do ta ndjekë rrugën e Qeverisë Kurti II për sa i përket dialogut me përfaqësues të saj.

Në një konferencë shtypi pas Kongresit të mbajtur të premten, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se mori autorizim për veprime sindikale, shkaku i problemeve të pazgjidhura nga Qeveria lidhur me kushtet në arsim dhe pagat e mësimdhënësve.

“Do të veprojmë ashtu siç vendos Këshilli Drejtues, pra duke mos e përjashtuar edhe grevën e përgjithshme, që mund të ndodhë në shtator, në qoftë se institucionet e krijuara do ta vazhdojnë të njëjtin veprim, duke e mohuar dialogun, e duke vepruar kokë më vete, e duke i shkelur edhe kërkesat e sindikatës sonë”, deklaroi ai.

Jasharaj theksoi se delegatët shprehën shqetësim për ngërçin në Kuvend dhe kërkuan që partia fituese e zgjedhjeve t’i japë fund bllokadës, në mënyrë që SBASHK-u të ketë adresë për t’i shprehur telashet.

“Të gjithë delegatët prezentë shprehën pakënaqësi dhe shqetësimin për këtë ngërç institucional, duke e ngritur zërin dhe duke kërkuar fillimisht nga partia që doli e para ta bëjë të mundurën dhe të pamundurën, në mënyrë që të hapë rrugë, që të kemi institucione”, theksoi ai.

Dhjetë ditë më parë, nxënës të klasave të nënta nuk arritën të tregonin njohuri të mjaftueshme në Testin e Arritshmërisë, të cilin e kaluan vetëm 48.8 për qind e tyre.

Të pyetur për këtë rezultat, në SBASHK thanë se nuk ndihen përgjegjës pasi, siç theksuan, angazhimi i sindikatës ka të bëjë me çështje sociale dhe se cilësia i takon Ministrisë së Arsimit.

Jasharaj u shpreh se SBASHK-u është i gatshëm të angazhohet edhe për cilësi, po qe se kjo mundësi i jepet nga Qeveria në detyrë, e të cilën e kritikoi për mungesë bashkëpunimi.

“Katër vjetët e kaluar ishin më të vështirat për SBASHK-un dhe sindikatat e tjera, ngase Qeveria Kurti II nuk ishte asnjëherë e gatshme për dialog. Në të kundërtën, ajo zgjodhi një çështje tjetër, që t’i luftojë sindikatat dhe një pjesë të tyre arriti t’i dëmtojë shumë”, tha ai.

Në SBASHK u ankuan edhe për mospagesën e përvojës së punës dhe moszbatimin e kontratës kolektive.