Përveç konfrontimit në distancë, SBASHK-u dhe Qeveria janë duke e zhvilluar edhe një betejë ligjore. Tek argumentojnë të drejtën për t’u paguar ose jo për ditët e grevës, palët kanë interpretime të ndryshme për ligjin.
Komunikimi i vetëm që SBASHK-u dhe Qeveria kanë pasur së fundmi është nëpërmjet kërcënimeve e akuzave në distancë.
Ministria e Financave, duke u mbështetur në nenin 18 të Ligjit për Greva, është përcaktuar që t’ua ndalë punonjësve publikë mëditjet për ditët sa janë në grevë.
Në paragrafin e parë të këtij neni thuhet se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke u plotësuar më pas me fjalinë që thekson se pezullimi përfshin edhe “të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.
Por, këtë përcaktim të Qeverisë e ka kundërshtuar SBASHK-u, e cila sindikatë i referohet neni 13 të të njëjtit ligj, e i cili thotë se për organizuesit dhe pjesëmarrësit në grevë nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale.
Një ditë më parë sindikalistët e arsimit ia kanë dorëzuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë një kallëzim penal kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati, të cilin e kanë paditur për kërcënim, shantazh e presion tek anëtarët e Sindikatës.
Kallëzimi penal i SBASHK-ut është mbështetur në nenin 221 të Kodit Penal të Kosovës, për cenim të së drejtës për grevë.
“Kushdo që me përdorim të forcës apo kanosjes serioze ose në ndonjë mënyrë tjetër të kundërligjshme parandalon ose pengon punëtorin nga organizimi, pjesëmarrja apo ushtrimi në ndonjë mënyrë tjetër i çfarëdo të drejte ligjore për grevë në pajtim me ligjin dhe për të marrë pjesë në grevë, apo në ndonjë mënyrë tjetër për të ushtruar të drejtën në grevë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet”, thuhet në këtë nen.
Prej ditësh sektori publik ka hyrë në grevë me kërkesën që derisa të miratohet e hyjë në fuqi ligji i pagave të aplikohet për ta një shtesë mujore prej 100 eurosh. Deri tash nuk ka pasur komunikim me Qeverinë, e cila në mungesë të listave të grevistëve për një numër punonjësish nuk i ka ekzekutuar pagat e muajit të shkuar.