LAJMET E MBRËMJES

Rreth 8 milionë euro, kostoja e zgjedhjeve të parakohshme

Kostoja e zgjedhjeve të parakohshme do të jetë rreth 8 milionë euro kanë bërë të ditur burime në KQZ. Sipas tyre, rreth dy milionë euro janë kursyer nga proceset e deritashme zgjedhore, e në fillim të javës së ardhshme kur Qeverisë do t’i dërgohet kërkesa për alokimin e buxhetit, do të kërkohen 6 milionë euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk e di se sa do t’i kushtojë organizimi i zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor, e për të cilat nuk ka buxhet në arkën e vet.

Për zgjedhjet e fundit nacionale që u mbajtën në shkurt, ky institucion ka shpenzuar rreth 7.9 milionë euro.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se është duke u përgatitur plani buxhetor dhe se në fillim të javës së ardhshme do të dërgohet në Qeveri kërkesa për alokimin e tij.

“Zgjedhjet e datës 28 dhjetor nuk kanë qenë të planifikuara gjatë këtij viti që do të thotë se KQZ-ja nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për organizimin e këtij procesi zgjedhor”, ka thënë Elezi. “Në këtë fazë KQZ-ja ende nuk ka një shifër se sa është planifikimi i saktë buxhetor për realizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Në mbledhjen e radhës të KQZ-së do të dalë dokumenti, do të thotë pra planifikimi buxhetor dhe shifra e saktë sesa përafërsisht mund të kushtojnë këto zgjedhje”.

Elezi ka treguar edhe për shpenzimet e institucionit në organizimin e zgjedhjeve nacionale të mbajtura në shkurt, si dhe për zgjedhjet komunale të zhvilluara në dy runde.

E bazuar në një përllogaritje të përafërt të planifikimeve të deritanishme, më shumë se 27 milionë euro mund të arrijë fatura totale e të gjitha proceseve zgjedhore që pritet të mbahen gjatë vitit 2025 në Kosovë.

“Sa u përket mjeteve të shpenzuara në proceset e kaluara zgjedhore, për zgjedhjet e datës 9 shkurt KQZ kishte planifikuar rreth 8.7 milionë euro, pra për organizimin e atyre zgjedhjeve dhe sipas raporteve edhe të fundit, janë shpenzuar rreth 7.9 milionë euro. Ndërkaq, sa u përket zgjedhjeve lokale, shuma e planifikuar ka qenë në vlerë të 10.5 milionë eurove dhe në këtë fazë ende nuk e dimë se sa nga këto mjete janë shfrytëzuar për të organizuar të gjithë procesin zgjedhor”, ka thënë ai.

Por, burime të KOHËS thanë se nga proceset zgjedhore të këtij viti janë kursyer rreth 2 milionë euro dhe se Qeverisë do t’i kërkohet të alokojë edhe rreth 6 milionë euro të tjera.

Katër ditë më parë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se mjetet për zgjedhjet e parakohshme do të ndahen nga kursimet apo tepricat e organizatave buxhetore.

Në Qeveri nuk kanë treguar se sa është vlera e këtyre kursimeve dhe tepricave që mund të vihen në dispozicion për KQZ-në.

Legjislatura e nëntë ka përfunduar mandatin të enjten, meqë as mandatari i dytë nuk ka mundur të marrë mbështetjen për formimin e Qeverisë. Pas shpërndarjes së Kuvendit, Osmani e ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.