Disa zyrtarë policorë janë vënë të shtunën në cak të një sulmi me armë zjarri, derisa po e vendosnin një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit. Nga të shtënat në drejtim të tyre nuk është shkaktuar ndonjë i lënduar.
Sulmi ka ndodhur rreth orës 11 e 25 minuta, teksa ende nuk është e ditur se kush qëndron prapa tij.
Me anë të një njoftimi për media, nga Policia është konfirmuar se janë shkrepur afërsisht 10 të shtëna nga armë zjarri.
“Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar. Në asistencë të Njësisë policore ka shkuar Njësia e ndërhyrjes së shpejtë e policisë kufitare. Policia po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin”, është njoftuar nga Policia.
Në policinë e Kosovës është shprehur përkushtimi për ofrimin e sigurisë dhe për luftimin e kriminalitetit, me theks të veçantë në kontrabandën, në atë zonë.
Ndaj këtij sulmi ka reaguar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se grupet ilegale serbe, që po mbrohen edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, janë duke bërë përpjekje për t’i penguar autoritetet në kryerjen e punëve brenda territorit të shtetit.
“Rreth 10 herë sot është shtënë drejt zyrtarëve të policisë kufitare derisa ata po e kryenin detyrën e tyre zyrtare, kontrollin rutinor në liqenin e Ujmanit. Grupet ilegale serbe, të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo të na ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tonë. Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar ose për t’i vrarë ata”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka thënë gjithashtu se pavarësisht sulmeve që i ka quajtur të orkestruara nga kriminelë, forcat e rendit nuk do të tërhiqen nga kryerja e detyrës së tyre në tërë territorin e Kosovës.
Ky nuk është sulmi i parë ndaj Policisë. Vetëm gjatë muajit prill, janë regjistruar të paktën gjashtë sulme ndaj përfaqësuesve të këtij institucioni.
Në fund të javës së kaluar, në veri të Kosovës janë ngritur tensionet shkaku i vendimeve të Qeverisë për zbatimin e reciprocitetit në targa të veturave -me emra të qyteteve të Kosovës - që lëshohen nga autoritetet në Serbisë, si dhe për dokumente të identifikimit.