LAJMET E MBRËMJES

Ramaj e KOHËS merr çmimin për raportimin më të mirë në shëndetësi

AGK-ja ka ndarë çmime edhe në shtatë kategori të tjera të gazetarisë. Çmimin e gazetarëve të vitit, AGK-ja ua ndau gazetares së “Betimit për Drejtësi”, Alberta Hashani dhe gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqi

Me dokumentarin “Rruga e infeksioneve”, gazetarja e grupit KOHA, Saranda Ramaj, ka marrë të martën çmimin për raportimin më të mirë në shëndetësi për vitin 2013, të ndarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Dokumentari e trajton mungesën e investimeve në nyjat sanitare në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), menaxhimin e higjienës nga kompania private dhe mungesën e plotë të kontrollit të infeksioneve spitalore. Në këtë dokumentar shtjellohet po ashtu se si spitali më i madh publik në Kosovë nuk ka as evidencë dhe as plan se si t’i adresojë problematikat. E pas raportimit të KOHËS, janë iniciuar masa ndaj disa zyrtarëve, përfshirë edhe mjekun që e ka kritikuar QKUK-në.

Tek foli pas çmimit që i është dhënë, Ramaj e ka vlerësuar si veprim tejet të rëndësishëm faktin që AGK-ja ka ndarë për herë të parë një çmim për raportim në fushën e shëndetësisë.

“Raportimi për shëndetësi është një nga raportimet më të rëndësishme që gazetarët mund të bëjnë. Kështu, që përmes këtij çmimi, besoj që do të ketë efekt që numri i gazetarëve në këtë sektor shumë të rëndësishëm dhe jetik, të rritet”, ka thënë Ramaj.

Krahas raportimit në fushën e shëndetësisë, AGK-ja ka ndarë çmime edhe në shtatë kategori të tjera të gazetarisë. Çmimin e gazetarëve të vitit, AGK-ja ua ndau gazetares së “Betimit për Drejtësi”, Alberta Hashani dhe gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqi.

Në kategorinë e kameramanit të vitit, fitues është shpallur Arben Hoti nga Radio Evropa e Lirë, për pamjet që i ka siguruar nga protesta e 29 majit në Zveçan, kur qytetarët serbë protestuan kundër vendosjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj të komunave veriore, me ç’rast i patën sulmuar pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Çmimi për storien më të mirë televizive e kanë ndarë gazetarët e “Kallxo.com”, Behar Mustafa për raportin e titulluar “Dosja e Korrupsionit”, dhe Valon Fana me atë “Trepça në Qeverinë Kurti”.

Dardan Hoti dhe Aulonë Kadriu kanë ndarë çmimin për raportimin në funksion të fuqizimit të gruas, me shkrimin: “Nëse dalin videot, unë kam m’i hupë krejt”, të botuar në “Kosovo 2.0”.

Me storien “Jemi në një geto të vërtetë”, Kadriu e ka fituar edhe çmimin për web-storien më të mirë të vitit.

Çmimin e stories më të mirë rreth antigjipsizmit janë shpërblyer Herolind Ademi nga “Klan Kosova”, me storien: “Në vend të shkollës zgjedhin rrugën”, si dhe Besarta Hoti e “Nacionales”, për storien “Ndahen romët në shkollën e Prizrenit”.

Në fushën e raportimit më të mirë nga sporti është shpërblyer gazetarja Vjosa Çerkini, për tekstin me titullin: “Të boksosh me politikën”.

Për tetë kategoritë e shpërblyera në AGK janë dorëzuar gjithsej 84 aplikime. Çmimet e AGK-së për gazetari janë të përvitshme.