Dy kryeministrat e rajonit, ai i Shqipërisë Edi Rama dhe i Malit të Zi, Dritan Abazovic kanë vlerësuar planin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi. Pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Rama ka thënë se është krah Kosovës, duke uruar kthjelltësi, vendosmëri dhe sukses. Ndërsa ai i Malit të Zi, ka thënë se ky plani sjell normalizimin në rajon. Këto dy shtete kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje për bashkëpunim.
Plani franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi është vlerësuar si më i miri që ka qenë ndonjëherë në tavolinë nga dy kryeministrat e rajonit, ai i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Pas mbledhjes së këtyre dy qeverive, që u mbajt në ditën e takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, Rama ka thënë se janë në krah të Kosovës.
“Unë dua shumë të shpresoj dhe jam me gjithë zemër dhe mendje i angazhuar që çështja mes Serbisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën e një dialogu pa kthim dhe më shpejtë sesa vonë të jetë një çështje e dy vendeve dhe të mos jetë nevoja që superfuqitë t’i marrin për vesh sa herë grinden në oborrin pas shkollës. Mendoj se marrëveshja e bazuar në planin franko-gjerman është më e mira gjë që ka qenë në tavolinë, por ky është thjesht një opinion”, ka theksuar Rama.
Edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se ky plani sjell normalizimin në rajon.
“Sa i takon qeverisë së Malit të Zi, ne maksimalisht e përkrahim dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Plani franko-gjerman është një plan i mirë se duhet me pasë normalizim në rajon, ne nuk kemi të drejtë të themi se çka me bërë dhe si me vepruar politikisht, por ajo çka është ardhmëria jonë, është bashkëpunimi”, është shprehur Abazoviq.
Në kuadër të mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Malit të zi janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi.
Të dy kryeministrat nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e urës në lumin e Bunës si dhe marrëveshjen për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin e Shën Nikollë -Pulaj në territorin e Shqipërisë.
Ministrat e dy qeverive nënshkruan marrëveshje e memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias etj.